Kuvendi i Arbërit si djep i Rilindjes Kombëtare dhe rëndësia e tij në rrafshin e kulturës e të gjuhës shqipe

0 468

Nga: Gentiana NISHICA MALAJ

320 vjet më parë e më saktësisht më datë 8 dhjetor 1700, Gjon Francesk Albani me origjinë shqiptare do të kurorëzohej papë me emrin Klementi XI Albani. Kjo ngjarje historike do të kishte pasoja fatlume për shqiptarët ngase Klementi XI do të ishte frymëzuesi e sponsorizuesi i Kuvendit të Arbërit, një ngjarje me rëndësi të dorës së parë për historinë shqiptare, kulturën e ringritjen shpirtërore në kushtet e pushtimit osman. Kuvendi i Arbërit u mblodh në fshatin Merqi të Lezhës në datat 14-16 janar 1703 nën kryesinë e imzot Vincens Zmajeviçit, kryeipeshk i Tivarit. Ky ishte kuvend kombëtar i ipeshkëve katolikë, qëllimi i të cilit ishte ndalimi i asimilimit fetar e kulturor, ngritja e ndërgjegjes nacionale, shkollimi i klerikëve dhe përkujdesja siç thuhet në dokumentet e miratuara “për njerëzit e dheut tonë, aktet e kuvendit janë së pari akte juridiko-kanonike, por nga mënyra e formulimit të tyre fjalët e zgjedhura e niveli i lartë gjuhësor i hartuesve të tyre përbëjnë një etapë të re e më të lartë të gjuhës shqipe”.

Është i njohur tashmë fakti se ilirët, paraardhësit e arbërorëve nuk kishin një gjuhë të tyre të shkruar. Emrat e njerëzve e të vendeve (onomastika e toponomastika) që trashëgojmë nga ilirët janë të shkruar në gjuhën greke apo latine. E dhëna e parë e dokumentuar për shkrimin shqip i takon vitit 1332 me autor Gulliem Ada ipeshk i Tivarit. Pas tij kemi “Formulën e Pagëzimit” të Pal Engjëllit të vitit 1462 e më në fund librin e parë të njohur të gjuhës shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut të vitit 1555. Ati i shenjtë Klementi XI e ngarkoi Zmajeviçin për të inspektuar dioqezat e trevat e Shqipërisë së Veriut e ato të Serbisë (Kosovës) e për të parë nga afër gjendjen e klerit të dioqezave e të besimtarëve të popullit të tij.

Imzot Zmajeviçi e kreu më së miri këtë detyrë edhe pse në rrethana tepër të rënda historike. Relacioni i tij dërguar Papa Klementit për gjendjen e popullit të Arbërit ka një rëndësi historike për nga informacioni i detajuar që jep, por më tej rëndësi jo më të pakët ka stili i tij, frazeologjia që zgjedh e niveli i lartë me të cilin ai paraqitet jo vetëm në relacionet për Selinë e Shenjtë, por edhe në fjalën e hapjes së kuvendit, në dokumentet e aktet e tij. Për ta ilustruar këtë konstatim po shkëputim pak radhë nga letra e tij drejtuar Klementit XI pas vizitës së tij baritore në trevat e veriut shqiptar: “Pashë vuajtje shumë! Qytetin që ma parë qe i pari i të gjithë vilajeteve, vu nën haraç. Zojën e njerëzve me futë në krye kalanë e trimave të rrënueme, murin e mbrojtjen e forcës sonë qartë e prishë. Pashë të pafetë hy në vende të shugurueme, kishat përlye, llërët ndy sa mezi pashë një vend ku mundet me u mbledhë populli në tubim. Pashë pleqtë tue vajtue, meshtarët, shërbëtorët e Zotit tue qa e tue lotue, barinjtë travojnë dhetë (dhentë), shpërnda e tretë nëpër pyll. Pashë murtajën që mbytte gjind e bante kërdi të madhe në të gjitha vendet. Këto vujatje i pashë dhe gjimova: zemra bashkue me mjerimet e popullit tim donte me u nda përgjysmë”.

Relacioni i Zmajeviçit përpos gjuhës, shprehjeve e një sintakse të arrirë të shqipes jep të dhëna mjaft të rëndësishme historike e kulturore, të dhëna këto të një prelati mjaft të ditur e tepër të vëmendshëm në studimin e hollësishëm të gjendjes së Arbërisë të fillimit të shekullit të XVII-të. Për njohuritë e thella, kulturën e gjerë e formatin intelektual të Imzot Zmajeviçit rrëfejnë më së miri biografët e tij, shkrimtarë të njohur si Butoraci, Bashiqi e Apendini. Ja si shprehet Apendini: “Arqipeshkvi Zmajeviç i quajtur për autonomazi “pena e artë” asht nji nga njerëzit ma të mdhaj që ka nxjerrë Dalmacia. Zmajeviçi i zotëronte mrekullisht gjuhët sllave, kroatishten, latinishten e italishten, është afërmendsh se shqipen e ka mësuar nga bashkënxënësit arbëror të “propagandës fide” dhe në vendlindjen e tij Dalmaci ku jetonte një koloni e madhe shqiptarësh.

Në një nga aktet e Kuvendit të Arbërit theksohet nevoja e ngutshme për hapjen e shkollave ku do të përgatitej kleri katolik i cili në atë kohë ishte gati analfabet. Është nevoja të theksojmë fort faktin historik se në atë kohë të vetmit mësues ishin priftërinjtë françeskanë, sepse urdhërat e tjerë ose ishin dëbuar nga turqit, ose kishin pushuar së ekzistuari. Në vigjilje të Kuvendit të Arbërit në fundshekullin e XVI-të kishte dalë në skenën e kulturës Pjetër Bogdani, shkrimtari më i madh i letërsisë së vjetër shqipe dhe ishte botuar tashmë kryevepra e tij “Çeta e profetëve” (Cuneus Prophetarum). Kjo vepër madhore dhe poetika e tij e sibilave nuk ishin të panjohura për Imzot Zmajeviçin.

Për vetë rëndësinë e madhe historike, fetare e kulturore aktet e Kuvendit të Arbërit u botuan në dy gjuhë latinisht e përkthimi në shqip dhe njihen tri botime. Gjuha poetike e dokumenteve të Zmajeviçit e të relacioneve të tij ka tërhequr me të drejtë vëmendjen e studiuesve shqiptarë e të huaj. Arealin e shqiptarëve katolikë, tempujt e besimtarët, Zmajeviçi i përshkruan me fjalën e zgjedhur “vneshti i Tenxot” (vreshti i Zotit). Pas inspektimit të hollësishëm ai i drejtohet Papës: “Por uh në ç’ mjerim e pashë! E pashë vneshtin e Tenxot të prishun e të shkatërruem lanë si një gja mbete shkret, mbulue prej ferramacash, prej ferrash, prej rrozgash. E pashë në vend që të qesë rrush, tue qitun larushk”.

Dukuritë gjuhësore fonetike e morfologjike, mbiemrat, përemrat e parafjalët e nyjëzuara së bashku me trajtën e të folurit na japin një pasqyrë autentike të stadit të shqipes gegnishte të shekullit të XVII-të. Ja disa shembuj ilustrues:

Zanore të gjata: me sham, përdam, për hir, nde pash.
Hundoret: mâ bam rrênë
Këmbime zanoresh: tramba me trambë, pranë trembet, pranë të shemptuemit të misavet etj.
Këmbime bashkëtingëlloresh: labdé, labdue, malëcorëtë me ndrituem çë unë vetë ndë mos mujçin, shtëku, shteketijë, nktherren, ktherren. Në shumë raste emrat qëndrojnë në një rrokje apo zanore që nuk theksohet si p.sh. buknë, shtekn, pushtenë, priftinet e fratirret, të njerëzet.

Format e shquara e të pashquara: veti e vuranë kush a i kershtem, nde kreu të festavet.  Forma arkaike të shprehjeve (kujto Buzukun): prej veprash së bdekunashit, prej qejshit. Fjalë përkëdhelëse që zvogëlojnë emrat: të bijtë ende të vogëlthe (të vegjël), katundizit (katundit), vashizat (vashat) etj. Tantologjizmat, shumë fjalë të akteve të Kuvendit të Arbërit interpretohen herë me sinonimet e shqipes e herë me huazime nga gjuhë të tjera: me u ndriçuem e me u vumë mbë kambë, i mpitë ndo i pritues, të bijën ndë daj e ndë mkat, inkoatum duali e zu, shtati ndo gjymtyra, të mbaruemit o të nkryemit.

E theksuam më lart se Kuvendi i Arbërit ka një rëndësi të shumëfishtë jo vetëm në rrafshin fetar, por edhe në atë historik e kulturor. Ipeshkvijtë që u mblodhën në Kuvendin e Arbërit apo etërit e kombit siç u drejtohej në letrën e fjalët e tij Imzot Zmajeviçi me një ndjenjë të lartë hyjnore e patriotike, u angazhuan të udhëhiqnin popullin e tyre në rrugën e Zotit, të dijes e të lirisë për të ripërtërirë lavdinë e dikurshme të dheut të Arbërit. Është një dëshmi tronditëse e me vlera të jashtëzakonshme historike letra që i dërgon kardinalit Sakripante shpirtndrituri Vincens Zmajeviç më datë 20 nëntor 1704: “Nuk gjej asnjë mjet tjetër për ruajtjen e fesë në Shqipëri përveç këtyre dyve, d.m.th. përjashtimin e pagesave e tribuve të ma të varfnve ose shpërnguljen e këtyre në vendet kristiane. Si njëra ashtu dhe tjetra mënyrë e zgjidhjes së problemit kërkojnë shuma të konsiderueshme të hollash për t’i bërë dhuratë pashës së lartë dhe nëpunësve në shërbim të tij. E baj këtë thirrje megjithëqë këtë vjet kam hasun në vështërsi të mdha në dioqezën time me pranimin në këto anë të 117 shqiptarëve të varfër që rrezikojshin të mohonin fenë tue u sigurue punë pranë ushtrisë së Venedikut”.

Kuvendi i Arbërit është cilësuar me të drejtë djepi i rilindjes. Tre shekujt që kaluan janë mjaftueshëm për ta vënë në piedestalin e historisë këtë ngjarje madhore të kombit. Etërit e Kuvendit të Arbërit i bënë thirrje grigjës së tyre të ecnin në rrugën e Zotit. Jo më kot thoshin latinët e lashtë: “Ku është shpirti i Zotit, aty është liria.” E liria jonë i detyrohet jo pak Kuvendit të Arbërit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.