Kuvendi i Berishës

0 55

NGA BLENDI KAJSIU

Ky është togfjalëshi që përmbledh më së miri Kuvendin e datës 30 prill. Ai ishte në thelb kuvend i Berishës më shumë se kuvend i Partisë Demokratike. Kryefjala e kuvendit ishte doktori, që prezantonte dhe mishëronte ideologjinë, programin dhe vizionin e “ri” të partisë. Në një kuvend ku spikaste mungesa e fytyrave të reja, prurja më e madhe ishte gjithashtu vetë Berisha.

Ndaj kuvendi shërbeu thjesht për të shpallur doktorin kryetar. Aq sa zgjedhjet për kryetarin e ri në 22 maj nuk kanë asnjë kuptim pasi rezultati tashmë dihet. Ato do jenë një formalitet pasi kushdo që përballet me Berishën në partinë e tij nuk ka asnjë shans teorik të fitojë. Ky fakt dëshmon që në PD-në e Berishës nuk ka zgjedhje dhe aq më pak demokraci.

Elementi thelbësor që dallon zgjedhjet reale dhe demokratike nga ato formale është faktori i paqartësisë. Në një demokraci ekziston gjithnjë një nivel i caktuar paqartësie në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve. Natyrisht që gjithnjë ka një kandidat apo kandidate që ka avantazh, por asnjëherë nuk ekziston qartësia absolute mbi rezultatin. Edhe kandidati që është në disavantazh të thellë në të gjitha sondazhet mund të fitojë. Kjo ndodhi me Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018 në SHBA.

Aty ku mungon demokracia rezultati i zgjedhjeve dihet. Mos të harrojmë që zgjedhje kemi pasur edhe në komunizëm, ama aty rezultati dihej me qartësi absolute. Nuk ekzistonte asnjë mundësi teorike që kundërshtarët e regjimit komunist të fitonin. Ndaj ato zgjedhje ishin formale dhe pa kuptim. Në një kontekst ku mungon demokracia nuk mund të kesh zgjedhje.

Të tilla do jenë edhe zgjedhjet e 22 majit në partinë e Berishës, krejt pa kuptim. Rezultati dihet me qartësi absolute që sot. Nuk ekziston asnjë mundësi teorike që një kundërshtar politik i Berishës t’i fitojë ato. Kaq mjafton për të kuptuar nivelin e demokracisë brenda kësaj partie “të rithemeluar demokratikisht”.

Berishizmi dhe demokracia partiake janë dy koncepte që përjashtojnë njëri-tjetrin. Berishizmi nënkupton që PD-ja është dhe mbete gjithnjë e Berishës, pavarësisht gabimeve dhe dështimeve politike të tij. Brenda kësaj filozofie politike ideja e garës apo e një partie më të madhe se lideri është absurde. Ajo është partia e kryetarit të përjetshëm, ndaj tingëllon ironike deklarata e Berishës se në kuvendin e tij e vranë kryetarokracinë. Kuvendi i 30 prillit, në fakt, ishte tempulli politik më i madh që i është ngritur ndonjëherë kryetarokracisë në Shqipërinë e tranzicionit. Në këtë kuvend, Berisha u kurorëzua kryetar shumë përpara zgjedhjeve të 22 majit. Ai do t’i fitojë me siguri absolute këto zgjedhje edhe pse humbi rëndë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, edhe pse nivelet e popullaritetit në elektorat i ka tejet të ulëta, edhe pse vuri dhe imponoi “tradhtarin” Basha në krye të PD-së, madje duke i vjedhur haptas votat Sokol Olldashit, edhe pse me miratimin e tij u dogjën mandatet e PD-së në Parlament dhe u bojkotuan zgjedhjet lokale, edhe pse tashmë është shpallur non-grata për korrupsion dhe minim të demokracisë nga SHBA-të. Pra, Berisha do jetë kryetar i partisë, jo sepse e sjell atë në pushtet, jo sepse e demokratizon, jo sepse e hap partinë ndaj shoqërisë, jo sepse ka mbështetje elektorale apo ndërkombëtare. Përkundrazi, me Berishën në krye PD-ja bunkerizohet më shumë, krijon një hendek edhe më të madh me shoqërinë shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar. Ai do jetë në krye të PD-së thjesht sepse është Sali Berisha. Nuk është rastësi që fraza më e spikatur e fjalimit të tij ishte “Unë jam Sali Berisha”. Askush në kuvend nuk u entuziazmua nga ideologjia e re konservatore apo programi qeverisës. Ama, kur doktori deklaroi se kush ishte, salla shpërtheu në duartrokitje. Ky është kualifikimi i vetëm i tij për të qenë në krye të PD-së. Dhe kjo është kryetarokracia në formën e saj më të pastër.

Leave A Reply

Your email address will not be published.