Liga e Futbollit nuk tërhiqet, vijon bojkoti i kampionatit

0 297

Bojkoti i kampionatit të futbollit do të vijojë më tej deri në një përgjigje nga ana e qeverisë. Ky ka qenë vendimi i marrë të hënën nga Liga Profesioniste e Futbollit (LPF), e cila zhvilloi të hënën një takim me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka.

Takimi qe thirrur për të diskutuar mundësitë e fillimit të kampionatit, që zyrtarisht duhet të kishte nisur që më 12 shtator. Presidenti i LPF-së, Edvin Libohova theksoi se vendimi i 10 klubeve të Superligës ka qenë unanim, “do të vazhdohet me bojkotin deri sa të ketë përgjigje nga qeveria”.

Pas këtij vendimi, tashmë pritet qëndrimi që do të mbajë qeveria, e cila me përfaqësues të Ministrisë së Financave do të japë përgjigje zyrtare rreth qëndrimit që kanë klubet. Në fundjavë premisat dukeshin pozitive që palët të vendosnin për të hequr dorë nga bojkoti i kampionatit.

Futbolli është ndalur në Shqipëri për shkak të katër kërkesave që i kanë paraqitur klubet qeverisë: ligji i sponsorizimeve, faljen e gjobave dhe kamatvonesave për detyrimet tatimore, heqjen e tatimit mbi fitim për të ardhurat personale të sportistëve për 10 vite dhe uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar në 6%. Dy pikat e fundit nga qeveria, janë cilësuar të ekzagjeruara dhe të pamundura për t’u vendosur.

Leave A Reply

Your email address will not be published.