Lubonja: Dobësimi i opozitës i bën dëm maxhorancës dhe Shqipërisë

0 169

Analisti Fatos Lubonja e shikon dobësimin e opozitës në vend si një dëm për vendin, por edhe maxhorancën. Lubonja deklaroi në “Opinion” në Neës24 se ndërkohë që merremi me sherrin e brendshëm në PD, kemi harruar të gjitha problemet e mëdha që ka qeverisja.

“Nuk e shikoj opozitën thjesht nga kaq afër sa ç’kërkoni ju ta shikoni, kush e mori, kush s’e mori kryesinë. Unë e shikoj opozitën si mundësi që ka vendi për t’u marrë me problemet e mëdha që ka vendi. Ne vazhdojmë të merremi me sherrin e brendshëm Basha-Berisha ndërkohë që kemi harruar gjithë problemet e mëdha që ka qeverisja. Në këtë kuptim kemi të bëjmë me dy grupime që asgjësojnë njeri-tjetrin dhe për shqiptarët asgjësojnë ekzistencën e opozitës dhe kjo përveçse i vjen për shtat qeverisë të tjerët kanë dëm.

Përtej maxhorancës i bën dëm Shqipërisë. Çdo pushtet korrupton dhe jo më një pushtet absolut siç kërkon të vendosë Edi Rama. Ky është një dëm i madh për Shqipërinë dhe për vetë maxhorancën dhe ata që e mbështesin”, tha Lubonja.

Sipas tij, mungesa e çdo hapësire lirie shpesh e mbyt individin dhe e rrënon një shtet.
“Këtu nuk aplikojmë dot vetëm ligjet e fizikës, por ato që na tregon historia, shembujt janë kundërthënës në këtë drejtim. Atje ku ka pushtet absolut siç ka qenë stalinizmi apo enverizmi, atje ka pasur eliminim kundërshtarësh dhe gjithnjë e më tepër kulti i individit. Mungesa e çdo hapësire lirie shpesh e mbyt individin dhe e rrënon një shtet, ashtu sikurse atje ku ka më shumë hapësirë, mundësi disidence, siç ka ndodhur në Bashkimin Sovjetik pas goditjes së Stalinit, mund të krijohen mundësira të vijë një Gorbaçov. Në rastin tonë çfarë po ndodh? Sigurisht nuk jemi në një regjim totalitar, por tendenca që shikoj unë që nga ardhja e Ramës në 2013 e këtej është një tendencë në rritje për të eliminuar kundërshtarët brenda partisë dhe jashtë. Sa vjet ka që nuk bën zgjedhje. Më shumë se një zhvillim i brendshëm brenda partisë, mund të vijë kolapsi. Krijohet një vakum që mund të mbushet nga një lëvizje tjetër jashtë asaj partie. Ajo që gjykoj që është problematike me Ramën, është se ai ka prirjen e theksuar të personalizojë institucionin. Ashtu ka bërë në Ministrinë e Kulturës, në bashki dhe në Kryeministri. Pasoja është kur ikën personi që identifikohet me institucionin, nuk ka më institucion. Politikan i mirë është ai që lë institucionin dhe pasi ikën. Shpresa për forca të reja e zbehtë”, tha Lubonja.

Leave A Reply

Your email address will not be published.