Lufta kundër korrupsionit në Kosovë, arrestohen 50 zyrtarë

0 194

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi të hënën se ka arrestuar 48 zyrtarë nga organet e rendit dhe dy zyrtarë nga shërbimi doganor, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që lidhen me veprat penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kryeshefi ekzekutiv i këtij inspektorati, Kushtrim Hodaj, tha gjatë një konference për media se zyrtarët janë pjesë e policisë kufitare në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës.

“Nga realizimi i veprimeve hetimore ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të përfshirë me qindra herë apo mbi 400 veprimtari kriminale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të arresuarve, me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj të njejtëve është dhënë rekomandimi për pezullim nga puna si pjesë e procedurave administrave”, tha zoti Hodaj.

 

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se këtij operacioni i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar, në të cilin janë të përfshirë edhe 18 persona të tjerë.

Aleksander Lumezi
Aleksander Lumezi

“Personat e tjerë, ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillim të hetimeve janë në arrati, disa edhe nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës por në këtë drejtim jemi duke bashkëpunuar edhe me autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të siguruar informacione dhe prova që mund të shërbejnë për procedurë penale në Kosovë apo në Shqipëri”, tha zoti Lumezi.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se zyrtarët e arrestuar kanë përgjegjësi individuale dhe nuk e përfaqësojnë policinë e vendit si tërësi.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore duke përfshirë ndërmarrjen e masave ndaj kujtdo që bie ndesh me ligjin, përfshirë këtu edhe punonjësit e policisë. Ashtu sic kemi vepruar sot do të veprojmë edhe në të ardhmen”, tha zoti Mehmeti.

Ky operacion i Inspektoratit të Policisë, i koduar me emrin “Pika”, është mbështetur nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Organizata ndërkombëtare, Transparency International, në raportin e fundit ka thënë se Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Ndërkohë organizatat joqeveritare në vend thonë se sfidë e Kosovës mbetet kultura e mosndëshkimit të të përfshirëve në këtë dukuri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.