Lulzimi i kanabsit, në 9 muaj u asgjësuan 130 mijë rrënjë

0 289

Në Shqipëri ka një lulëzim të kanabisit dhe shifrat zyrtare e vërtetojnë. Nga janari e deri më tani, policia ka referuar në prokurori mbi 100 vepra penale që kanë të bëjnë me kanabisin. Gjatë 9 mujorit të parë të vitit janë sekuestruar 45 mijë bimë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit, konfirmojnë rritjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Në 9 mujorin e këtij viti janar-shtator, sipas policisë janë asgjësuar rreth 130 mijë bimë, nga 85 mijë që ishin djegur gjatë 9-mujorit të vitit të shkuar.

Periudha që ka patur më shumë bimë të sekuestruara dhe asgjësuara, është qershori me 36 mijë bimë, për të vijuar me muajt korrik gusht dhe shtator me rreth 25 mijë bimë. Zonat më problematike vijojnë të jenë zona e malësisë së Krujës, Tepelenës, Gjirokastrës, apo Vlorës, por dhe qyteti i Shkodrës. Qyteti verior konsiderohet dhe si më problematiku pasi në fillim të muajit tetor u vranë dy të rinjtë Klement Pepaj dh Vilson Çutaj pas konfliktit për kanabisin me kushëririn e tyre.

Në disa prej zonave kanabisi është mbjellë për herë të dytë apo të tretë pas ndërhyrjes së policisë duke i shkatërruar bimët me kanabis. Pak ditë më parë një skaf me të paktën 1.2 ton kanabis u kap në brigjet greke, që sipas medieve greke kishte mbërritur nga Shqipëria. Shqipëria renditet e gjashta në Europë si vendi që kultivon më shumë kanabis. Në raportin vjetor të OKB-së për drogën dhe krimin, Shqipëria renditet i dyti në Europë pas Holandës, sa i takon trafikut të kanabisit, që nga nisja si vend origjine edhe tranzit. Alarm për situatën në vend ka dhënë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, ku thekson se individët që i kanë shpëtuar drejtësisë janë vendosur në vende të huaja dhe prej andej shërbejnë si ura lidhëse të trafikut me elementë kriminalë brenda vendit.

Qendra Europiane për Monitorimin e Drogës, parashikoi në fillim të vitit se kultivimi i kanabisit në Shqipëri do të rritet. Opozita akuzon thuajse çdo ditë se Shqipëria është e mbjellë me drogë nga veriu në jug, si pjesë e projektit të kryeministrit Edi Rama për të bashkëqeverisur me krimin. Nuk ka asnjë bos droge të arrestuar, nuk ka asnjë Drejtor Policie të larguar, lexohej në akuzat e përditshme të PD-së.

Pyetja që shtrohet sot është se si është e mundur që policia i ka të gjitha këto informacione, e di se ku janë fushat me kanabis, e di se kush e mbjell, kush e trafikon dhe prapë nuk merr asnjë masë? Apo tashmë do të rend pas qytetarëve nuk vendosin maskat. Kur askush nuk lëvizte në rrugët e Shqipërisë dhe kryeministri reklamonte rrugët e zbrazura, trafikantët lëviznin të lirë nga toka dhe nga deti. Edhe sa viktima do të shtohet për pazaret e kanabisit? A ka dalë situata jashtë kontrolli? Paratë e drogës sipas opozitës kanë blerë zgjedhjet e fundit. Edhe pse u hapën dosje të bujshme me emra politikanësh, asnjë prej tyre nuk u përball kurrë me këtë akuzë. Zgjedhjet e vitin 2021 po afrojnë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.