Mark Gjonaj: Zgjedhjet e 30 gushtit historike për shqiptarët në Mal të Zi

0 295

”Zgjedhjet e 30 Gushtit janë një moment historik për shqiptarët në Mal të Zi, që edhe pse të ndarë tashmë në dy lista, të mund të votojnë shqip që të sigurojnë një përfaqësim më gjithëpërfshirës dhe të denjë të shqiptarëve në parlamentin e Malit të Zi”, deklaron në një intervistë për ATSH, Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të New Yorkut. Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, lista shqiptare Genc Nimanbegu-Nik Gjeloshaj, përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare, Lëvizja “Perspektiva” dhe Unioni i Tuzit me një platformë të qartë që ofron zgjedhjen më të mirë për të zgjidhur problemet e popullit shqiptar.

Gjonaj thekson se edhe pse nuk u arrit që partitë shqiptare të bashkoheshin në një listë të vetme, kjo nuk e ndalon angazhimin për mbështetjen e kandidatëve shqiptarë në këto zgjedhje. “Së bashku me përfaqësues të Koalicionit të Organizatave të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, me origjinë nga Mali i Zi, u angazhuam për një marrëveshje në mënyrë që të gjitha partitë shqiptare të bashkoheshin në një listë të vetme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke u nisur nga suksesi dhe rezultati pozitiv i bashkimit të subjekteve në Komunën e Malësisë-Tuz vitin e kaluar, ne kishim arsye të bindshme se të bashkuar jemi më të fortë dhe jemi në pozitë të mbrojmë më mirë interesat e shqiptarëve në Mal të Zi. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, por kjo nuk na ndalon në punën dhe angazhimin tonë që të vazhdojmë të punojmë për mbështetjen e kandidatëve shqiptarë dhe elektoratit shqiptarë në këto zgjedhje”.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Qytetit të New Yorkut, thekson më tej se elektorati shqiptar dhe Diaspora duhet të vlerësojnë këtë moment historik për të tashmen dhe të ardhmen, për të bashkuar të gjitha forcat dhe për të avancuar pozitën e shqiptarëve në qeverisje dhe vendimmarrje. Mark Gjonaj i konsideron historike zgjedhjet e 30 Gushtit 2020 që do të përcaktojnë edhe ekzistencën dhe vazhdimësinë shqiptare në Mal të Zi. Gjonaj thotë se bashkimi, bashkërendimi dhe bashkëpunimi i faktorit politik shqiptar në një listë dhe platformë është rruga e vetme e avancimit të shqiptarëve në Mal të Zi.

Gjonaj i bën thirrje gjithë spektrit politik dhe elektoratit shqiptar që të votojnë me mençuri dhe me zemër vetëm për subjektet politike shqiptare. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Qytetit të New Yorkut, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, iu përgjigj interesit edhe për ndryshimet e miratuara për Kodin Zgjedhor në Shqipëri, veçanërisht sa i përket të drejtës për të votuar nga emigrantët shqiptarë. Gjonaj thotë se Diaspora është në të vërtetë thesari më i madh jo vetëm i Shqipërisë, por i shqiptarëve në trojet tona etnike.

Leave A Reply

Your email address will not be published.