Mbi 60 shtetas të huaj u shpallën ”non grata” në 3 vite nga qeveria Rama

0 311

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi të enjten se diplomati rus, Alexey Krivosheev, ishte shpallur person “non grata” (person i padëshirueshëm) në Shqipëri e kësisoj duhej të largohej nga vendi në 72 orët e ardhshme. Në komunikatë argumentohej se diplomati rus kishte thyer rregullat e diktuara nga pandemia Covid-19. Sipas një llogaritje, më shumë se 60 shtetas të huaj janë shpallur persona të padëshiruar nga Shqipëria, në 3 vitet e fundit. Krivosheev nuk është diplomati i vetëm i shpallur person i padëshiruar në Shqipëri. Në datë 26 mars 2018, qeveria shqiptare shpalli “non grata” 2 diplomatë rusë, Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës, me arsyetimin se veprimtaria e tyre nuk përputhej me statusin e tyre diplomatik.

Historia e dëbimeve nga Shqipëria nuk lidhet vetëm me Rusinë, por edhe Iranin. Gjatë vitit 2020, Shqipëria dëboi 4 iranianë, 2 nga të cilët diplomatë. Më 15 janar të vitit të shkuar, autoritetet shqiptare njoftuan se kishin urdhëruar dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve iranianë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, në një postim në facebook. Sipas tij, të dy diplomatët, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, kishin zhvilluar “veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”.

Më 23 korrik të vitit të shkuar, Shqipëria dëboi Dabiel Kassrae. Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, urdhëroi dëbimin nga Shqipëria të Dabiel Kassrae, një iranian me nënshtetësi italiane, 29 vjeç. Në urdhrin e dëbimit, Dabiel Kassrae u shpall “person i padëshiruar” dhe iu ndalua qëndrimi në Shqipëri për një periudhë prej 15 vitesh. Më 18 tetor, po të vitit 2020, u shpall “non grata” një tjetër iranian, Ehsan Bidin, pasi dyshohet se ishte i infiltruar në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Për iranianin Bidin, më herët ishte kërkuar largimi vullnetar nga vendi, por me urdhër të ministrit të Brendshëm, prej datës 17 tetor ai është shpallur “non grata” për të paktën 15 vitet e ardhshme. Në vitin 2018, ambasadori i Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, dhe një tjetër diplomat u shpallën “non grata”, pasi sipas shërbimeve inteligjente ishin të përfshirë në disa aktivitete që cenonin sigurinë kombëtare.

Shifrat e dëbimeve zgjerohen pas protestës me gjuhë urrejtjeje nga ana e një grupi shtetasish grekë që morën pjesë në funeralin e Kostandinos Kacifës, më 8 nëntor, në fshatin Bularat të Dropullit, duke shpallur “persona të padëshirueshëm” 52 prej tyre. Krahas shpalljes “non grata”, 11 persona, kryesisht grekë, u vendosën nën hetim në gjendje të lirë nga autoritetet shqiptare për veprat penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Lidhur me ngjarjen në Bularat, Shqipëria shpalli person të padëshiruar eurodeputeten qipriote, Eleni Theocharous dhe gazetarin Panaiotis Savidis. /A2cnn/

Leave A Reply

Your email address will not be published.