Mbyllja në orën 22:00, Jahaj: Pa ndikim pasi është muaji i Ramazanit! 30-40% e bareve kanë falimentuar

0 299

Industria e bareve dhe restoranteve, nuk janë shumë të gëzuar nga vendimi i Komitetit Teknik për zgjatjen e fashës së orës policore, që nga sot shkon në 22:00. Kjo pasi përfaqësues të këtij sektori thonë se impakti do të jetë i vogël për shkak të muajit të shenjtë të ramazanit, i cili do të sjellë ulje të konsumit pasi gjatë ditës nuk do të ketë frekuentim të lokaleve dhe kafeve.

“Deri dje mbylleshim nëpër shtëpia pa u perënduar dielli sot do të mbyllemi pasi ka perënduar. Ato dy orë nuk përbëjnë ndryshim. Nga të dhënat që ne kemi nga muaji i ramazanit ndër vite është se kemi një rënie të alkoolit, të mishit, apo të drekës. Edhe nëse sot ne punonim me drekën nuk do të punojmë më, ndoshta do të kemi pak punë për darkën, por do të jetë e cunguar pasi është orari i mbylljes në shtëpi”, shprehet Enri Jahaj përfaqësues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Nga ana tjetër, për ”Report Tv”, ai thotë se duhet një paketë financiare për sektorin pasi xhiroja është tkurrur, ndërsa me dhjetëra biznese të vogla janë mbyllur.

”Ne jemi kthyer në biznese mbijetese që kur filloi pandemia dhe sot në të tilla kushte kemi mbetur. Po flasim për disa klube që punësonin shumë qytetar dhe e gjithë infrastruktura e tyre është goditur në mënyrë mjaft të rëndë dhe ka dëme të parikuperueshme, ndërsa po ti kthehemi bareve dhe restoranteve, do thosha 30-40% e tyre kryesisht bizneset familjare janë të mbyllura, dhe do të thosha se do të vijojnë të mbyllen pa u hapur sezoni. Por nga ana tjetër ka investitor në fushë, ka rihapje por balanca është negative. Xhiroja e sektorit është tkurrur në masën 50-60%, dhe kjo masë ndihmonte në mbajtjen në kosto efektive të gjithë infrastrukturat tona, dhe sot që flasim kjo lloj xhiro siguron vetëm mbijetesën dhe pagesën e detyrimeve dhe paguaj stafin”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.