Më në fund largohet njeriu që shkatërroi Drejtësinë

0 92

Ardian Dvorani nuk do të jetë më anëtar i Gjykatës së Lartë, as kryetar i saj dhe as kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi sot me 6 vota pro dhe 3 kundër, që Dvoranit ti ndërpritet mandati në të gjitha postet që mban, pasi ka gjashtë vite që i ka mbaruar mandati kushtetues, por që ka qëndruar në funksione falë manovrave me Partinë Socialiste dhe Rilindjen. Vendimi i marrë, mes shumë debatesh, në KLGJ është një fitore e drejtësisë përballë abuzimeve personale të një individi. Nëse sheh karrierën e juristit Dvorani, çështja e tij është një ngjarje e paprecedentë në historinë e gjykatave në Shqipëri.

Mandati i tij si anëtar i Gjykatës së Lartë ka mbaruar në vitin 2014. 6 vite më parë, juristi Dvorani që betohet mbi Kushtetutën dhe thotë se zbaton ligjet, duket të kishte marrë valixhet dhe të kishte ikur në shtëpi ose në një detyrë tjetër që do t’i caktonin. Por në vend të këtij akti që duhet të bënte çdo zyrtar korrekt, Dvorani shfrytëzoi boshllëqet ligjore dhe vettingun në Gjykatën e Lartë për të mbijetuar 6 vite pa mandat në detyrë. Gjatë këtyre viteve, Dvorani nuk qëndroi thjesht për të marrë pagën dhe benefitet e detyrës së lartë. Juristi Dvoranit qëndroi në sistem për të sabotuar dhe kapur reformën në drejtësi si dhe për të minuar besimin e qytetarëve të institucionet e reja që po lindin me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Vet juristi Dvorani është një nga ekspertët e nivelit të lartë që hartoi reformën në drejtësi. Duke njohur defektet e ligjeve të reja dhe kaosin që do të krijonte vettingu, veç mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Dvorani kapi dhe kreun e Gjykatës së Lartë. Gjithmonë pa asnjë mandat të ligjshëm, ai u kthye në juristin e vetëm që merrte vendime dhe parashikonte sesi do të ecte vettingu për kolegët e tij. Ndërsa miqtë e tij u rrëzuan nga vettingu për disa qindarka, Dvorani doli i pastër nga kontrolli edhe pse rreth 100 milionë nuk dinte si ti justifikonte. Në këtë mënyrë, anëtari pa mandat i Gjykatës së Lartë kapi drejtimin e saj si dhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED). Ky institucion është më i rëndësishmi në këtë fazë të reformës në drejtësi. Prej vendimeve të KED caktohet se cili gjyqtarë do shkojë për dekretim te Presidenti dhe votim në Kuvend, për në Gjykatën e Lartë, dhe kush do te emërohet në Gjykatën e Kushtetuese. Pra, një njeriu pa mandat të ligjshëm, me probleme me vettingun dhe me anësi të deklaruar për pjesëmarrje në takimet politike të PS-së ju la në dorë hallka më e rëndësishme e reformës në drejtësi, përzgjedhja e gjyqtarëve kryesorë të vendit. Figurë më problematike për zbatimin e reformës nuk do të gjendej as me dhjetëra juristëve që me të drejtë i këputi vettingu.

Këtë detyrë sigurisht Dvorani nuk e mori përsipër vetëm. Strukturat e PS që përgatitën kapjen e reformën në drejtësi e ndihmuan me mbështetje politike. Qeveria dhe Rilindja i dhanë mbështetjen ndërkombëtare përmes rekomandimeve banale dhe jo ligjore të misioneve të huaja që monitorojnë reformën në drejtësi. Me këtë mbështetje dhe me bindjen si një anëtar i PS-së, Dvorani masakroi reformën në drejtësi. Përzgjedhja e emrave për Gjykatën Kushtetuese ishte momenti kur skema e kapjes së sistemit u bë publike. Dvorani veproi jo si profesionist i ligjeve, por si një ushtar i partisë që do të caktojë në institucionin më të lartë të drejtësisë, njerëzit e tij apo të pushtetit të sotëm të Ramës.

Përplasja me Presidencën për emërimin e Arta Vorpsit, që u betua te noterja dhe jo para Kushtetutës, ishte rasti më flagrant i keqpërdorimit të Dvoranit dhe kapjes së drejtësisë. Nga ky rast u kuptua se Dvorani nuk vepronte për të zbatuar reformën dhe as për të ruajtur parimet Kushtetuese, por ishte njeriu i pazareve që Rilindja kishte futur në sistemin e drejtësisë. Skema e pistë e kapjes së institucioneve me ndihmën e Dvoranit u denocnua dhe nga Komisioni i Venecias, që i dha të drejtë presidentit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ndaj tij janë disa padi në SPAK për shkelje të rënda ligjore dhe Kushtetuese, të provuara edhe nga ekspertët e Komisionit të Venecias. Përballja e tij me drejtësinë mbase do të nxjerrë dhe autorët e vërtetë që e vinin në lëvizje për të sabotuar reformën dhe për të masakruar Kushtetutën. Kjo është një histori e pistë politike që duhet zbardhur dhe çështja nuk mbaron me ikjen e tij nga detyra.

Ajo që mund të themi sot është se KLGJ mori një vendim të drejtë për t’i kthyer sado pak dinjitetin reformës së masakruar në drejtësi. Beteja për një drejtësi të pavarur e kushtetuese sapo mori një kthesë vogël në shërbim të qytetarëve. E megjithatë ka shumë punë për të kthyer besimin te Drejtësia e vertetë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.