Mediu: Komitet Kombëtar për krizën dhe integrimin, Dade dhe Mustafaj bashkëkryetarë  

44

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu propozon që për daljen nga situata kritike ku është futur vendi duhet të krijohet një Komitet Kombëtar me figura të opozitës dhe mazhorancës. Në mbledhjen e Asamblesë së PR-së, aleati i Bashës deklaroi se kriza politike dhe procesi i integrimit në BE kërkojnë më shumë vëmendje dhe energji nga gjithë klasa politike.

Duke folur për rolin e këtij Komiteti, Mediu tha se ish-ministrja e PS, Arta Dade dhe ish-ministri i PD, Besnik Mustafaj janë dy figura të pranueshme nga të gjithë kampet, të cilat mund të drejtojnë këtë institucion.

“Ky komitet të bashkëkryesohet nga dy ish-Ministra të Jashtëm, konkretisht z. Besnik Mustafaj dhe Zonja Arta Dade. Në përbërje të tij të jenë ish kryeministra, ish-ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit”- ka theksuar Mediu.

Aleati i Bashës tha se ky komitet do të ketë mandatin për të kontrolluar zbatimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj BE dhe plotësimin e 9 kushteve të Bundestagur gjerman. “ Mandatimi me ligj i këtij Komiteti, për të kontrolluar dhe zbatuar detyrimet e çdo institucioni, që rrjedhin nga detyrimet Europiane dhe në veçanti, zbatimin e 9 kushteve të vendosur nga Bundenstagu Gjerman, me një plan konkret veprimi. Përfundimi me konsensus sa më parë i Reformës Zgjedhore, duke draftuar Kodin në bashkëpunim pozitë-opozitë, dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë”,- deklaroi Fatmir Mediu.

Lidhur me krizën politike, kreu i PR-së, Fatmir Mediu tha se “zgjedhjet e lira dhe të ndershme sa më parë, janë rruga e kapërcimit të krizës  së rëndë politike”. Duke folur për rrugën e daljes nga kriza, Mediu tha se “e vetmja mënyrë për të mundësuar mbështetjen nga ndërkombëtarët, është inicimi nga Ne, i dialogut opozitë – pozitë, duke përfshirë kërkesat tona në kushtet që vendos Gjermania për hapjen e negociatave”.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.