Mediu mbledh strukturat e PR-së në Dibër: Antishqiptar debati rreth ”Shtëpisë së Verdhë”, shqiptarët të zgjohen

0 321

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka mbledhur strukturat e Partisë Republikane në Dibër, ku në fjalën e tij u shpreh se ky qark është zhytur në papunësi dhe varfëri. ”Situata e rëndë shëndetësore e Covid-19, pamundësia për t’a përballuar finaciarisht, po shoqërohet me shkatërrimin e ekonomive familjare, dhe e vetmja mundësi ekonomike është ndihma nga emigracioni. Pjesa më aktive, rinia dhe profesionistët janë larguar në emigracion. Kjo situatë e rëndë, ku ekonomia po shkon drejt kolapsit, ka ardhur si pasojë e korrupsionit, shpërdorimit të taksave për interesa klienteliste nga qeveria Rama”,-tha kryetari i PR Fatmir Mediu.

Shqipëria e cila u bë anëtare e NATO-s dhe ishte pranë BE nga qeveria Berisha, sipas Mediut sot ka një qeveri që po shkatërron çdo mundësi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

”Qeveria Rama ka shkatërruar shtetin dhe institucionet. Njerëzit, liritë dhe të drejtat e tyre, nuk kanë asnjë vlerë. Vlerë ka vetëm pushteti dhe korrupsioni, vjedhja dhe grabitja e të sotmes dhe të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përballë kësaj situate, opozita, e djathta, duhet të bashkojë shqiptarët për ndërtimin e shtetit të qytetarëve dhe brenda 4-vjeçarit të parë, t’a bëjë Shqipërinë vend anëtar të BE, siç e bëri vend anëtar të NATO-s. Platforma e saj duhet të jetë gjithëpërfshirëse, për ndërtimin e shtetit, institucioneve, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, reformat në ekonomi, taksa e sheshtë 9%, mbështetja e biznesit, punësimit, reformat në arsim, në shëndetësi dhe bujqësi, janë rruga e vetme për të ndërtuar një Shqipëri Europiane”,-tha ai.

Nga ana tjetër, ai tha se opozita s’duhet të humbasë kohë. ”Ajo nuk ka çfarë të presë, por duhet të bashkohet në çdo skaj, në Dibër dhe mbarë Shqipërinë, sepse Rama e ka filluar dhe nuk do të ndalet në qëllimin e tij, për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit”,-tha më tej kreu i PR-së.

Absurde dhe antishqiptare i quan Mediu, debatet e nxitura qëllimisht rreth “Shtëpisë së Verdhë” nga Rama dhe sekti i tij. Për të, sjellja e Tiranës zyrtare dhe bashkëpunimi me Beogradin, duke anashkaluar Kosovën, i ka dhënë Vuçiçit mundësinë që të shfaqet si njeriu që mund të negociojë dhe bashkëpunojë me shqiptarët, në një kohë që lufton dhe paguan për të hequr njohjet e pavarësisë së Kosovës.

”Në 2013, kur Rama erdhi në pushtet, Shqipëria ishte vend anëtar i NATO-s, liberalizoi vizat dhe ishte pranë BE, në marrëdhënie shumë të mira me SHBA, ndërsa Serbia ishte kundërshtare e BE, Amerikës dhe NATO-s. Sot Serbia është më pranë BE, ka ndërtuar marrëdhënie në nivel të lartë me SHBA, ndërsa Shqipëria ka bërë vetëm regres, për shkak të regjimit të korruptuar që ka dalë kundër BE. Deklaratat e Vuçiç duke krahasuar Ballkanin me Nagroni Karabak, tregon qartë se ai është i njëjti që ka qenë, në shërbim të Miloshevicit, duke masakruar shqiptarët dhe për më tepër, me qëllime të qarta për të ricikluar Serbinë e Madhe, me mbështetje të aktorëve të huaj, jo ballkanikë, që janë kundërshtarë të BE, Amerikës dhe NATO-s. Shqiptarët duhet të zgjohen! Shqipëria duhet të sillet si vend anëtar i NATO-s, të ngrejë në nivel të diskutimit politik në NATO, qëndrimet e Serbisë, dhe ushtarak, armatimin ofensiv të saj nga Rusia dhe vendet e tjera”,-nënvizoi më tej Mediu.

Leave A Reply

Your email address will not be published.