Mesa duket Franca dhe Britania e Madhe e kaluan pikun e valës Omicron

0 236

Franca e shmangu skenarin më të keq në valën Omicron të pandemisë së Covid-19, ndërsa vendi e ka kaluar pikun e infektimeve. E megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se spitalet mund të vazhdojnë të ndjejnë ngarkesën edhe përgjatë muajit shkurt.

“Pacientët do të vazhdojnë të mbeten në spitale dhe presim që ato do të jenë të ngarkuara edhe përgjatë muajit shkurt. Por mund të themi se më të keqen e kësaj vale e kemi lënë pas krahëve”, u shpreh Arnaud Fontanet, epidemiolog.

Sipas ekspertit, numri i infektimeve do të vazhdojë të bjerë në mënyrë drastike derisa të arrijë nivele shumë të ulëta në muajin mars. Franca ka shënuar shifra rekord prej më shumë se 300 mijë rastesh në ditë gjatë javëve të fundit, por numri i shtrimeve në terapitë intensive ka qenë shumë më i ulët se në valët e mëparshme. Senatorët francezë i dhanë të dielën miratimin final paketës së fundit të masave për të luftuar pandeminë, përfshirë certifikatën e vaksinimit që nxjerr jashtë loje testet negative për të siguruar qasjen ne ambientet publike.

Më herët edhe autoritetet në Britaninë e Madhe njoftuan se vendi e kishte kaluar pikun e infektimeve, me rreth 70 mijë raste të shënuara në 24 orët e fundit. Ministri Nadhim Zahawi tha se infektimet dhe hospitalizimet po sheshoheshin, duke nxitur shpresat për heqjen e disa kufizimeve.

“Kam besim se kur të shqyrtojmë të dhënat në 26 janar, do të jemi në pozita shumë më të mira për të hequr disa prej kufizimeve”, tha Nadhim Zahawi ministër i Arsimit.

Sinjale optimiste vijnë edhe nga shtete të tjera europiane, përfshirë Greqinë fqinje ku ka pasur rënie të infektimeve. Ekspertët e shëndetësisë atje, parashikojnë se pandemia mund të përfundojë në pranverë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.