Mësim online në Universitete dhe mbyllje e lokaleve në zonën e Bllokut në Tiranë

0 78

Duke parë që shifrat e Covid-19 në javët e fundit janë rritur, është marrë një vendim i fortë. Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një komunikim publik, bëri me dije vendimin e marrë unanimisht nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për zhvillimin e mësimit online nga strukturat universitare, kjo të pkatën për një javë. Viti i ri akademik nis më 2 nëntor. “Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komitetin Teknik i Eksperteve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.

Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbylljen e pjesshme për aktivitete e lokaleve, bareve e në zonën e Bllokut në Tiranë, si vatra rreziku për përhapjen e Covid-19. “Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22:00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli. Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese. “Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me Covi-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht janë rreth 500 vatra aktive në vend, 35% e të cilave janë përqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtës që sjell më shumë grumbullime në ambientet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e Covid-19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit. “Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.

Leave A Reply

Your email address will not be published.