Ministrja gjermane e Evropës vjen nesër për herë të parë në Shqipëri

0 193

Në qendër të bisedimeve do të jetë integrimi i dy vendeve në BE, por edhe mbrojtja e klimës.

Ministrja gjermane e Evropës, Anna Lührmann, viziton për herë të parë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Siç bëhet e ditur nga një njoftim të ministrisë së jashtme gjermane, politikania e gjelbër do të takohet të hënën (17.01) në Shkup me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski, kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski (LSDM), zëvendëskryeministrin e emëruar, Bojan Mariçiç, ministrin e jashtëm, Bujar Osmani (BDI), si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Në Shqipëri, ministrja e re gjermane do të takohet të martën (18.01) me kryeministrin Edi Rama (PS) dhe me zëvendësministren e jashtme, Megi Fino. Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të takohet edhe me Albert Hanin, kryetarin e Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).

Vijimësi me fokus të ri

Në qendër të bisedimeve do të jetë integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rajon si edhe reformat e brendshme. Sipas një deklarate të ministrisë së jashtme gjermane, Lührmann u shpreh para nisjes për çeljen e negociatave: “Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë konferencat ndërqeveritare. Ne e mbajmë fjalën. Për vijimin e rrugës drejt BE-së mbetet vendimtare që të vijojnë reformat dhe mirëqeverisja”, citohet në njoftimin e lartëpërmendur të ketë thënë ministrja të dielën (16.01.) në mbrëmje në Berlin. Në Tiranë, ministrja gjermane do të bisedojë edhe për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

 

 

Lührmann mbetet kështu tërësisht në vijën e paraardhësit të saj, Michael Roth, nga Partia Socialdemokrate, i cili tashmë është kryetar i Komisionit Parlamentar për çështje të Bashkimit Evropian, Roth ia dorëzoi postin Lührmann-it, pas formimit të koalicionit të ri, kur Ministria e Jashtme gjermane kaloi në dorë të të Gjelbërve.

Ashtu sikurse paraardhësi i saj, edhe Lührmann pritet të jetë avokate e fortë e rajonit në BE, por edhe të adresojë në biseda dypalëshe problemet e mundshme. Një nga çështjet që do të jetë temë e bisedimeve me shoqërinë civile në Tiranë është mbrojtja e klimës, i thanë DW burime të Ministrisë së Punëve të jashtme të Gjermanisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.