Miratohet data e mbajtjes së raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës

0 23

Konferenca e Kryetarëve ka miratuar datën 23 maj për mbajtjen e raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

“Kush është dakord që data e radhës për raundin e dytë të jetë data 23 maj? Po miratohet” tha kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në përfundim të mbledhjes.

Edhe këtë të martë mbledhja e Konferencës së Kryetarëve vijoi me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës.

Në përfundim të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ftoi homologun demokrat, Enkelejd Alibeaj që të ulen dhe të diskutojnë në lidhje me propozimet e Partisë Demokratike për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe të firmosin një marrëveshje të përbashkët që mund t’i çojë te emrat konkretë.

Nga ana tjetër Alibeaj u shpreh i gatshëm për mbajtjen e takimit, qoftë edhe pa e ndërprerë farë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Pjesë nga biseda:

Taulant Balla: Unë ju thashë, proces me letra nuk bëhet. E para sepse ne ja ku e kemi sallën, takohemi, flasim, sikurse po ju them që edhe atë dokument që ju keni propozuar ta vendosim në tavolinë dhe ta negociojmë.

Thatë jeni të gatshëm ta negocioni. Hajde meqë e thua këtë garanci unë jam i gatshëm të ulem tani. Shkojmë ulemi diku flasim për atë dokumentin dhe e firmosim menjëherë po ramë dakord. Pastaj hajdeni propozoni dhe emrat.

Unë s’po ju vendos asnjë kusht. Hajde sille dhe dokumentin, ulemi unë jam gati bashkë me zonjën Spiropali, po vjen dhe zoti Gjiknuri. Hajde ulemi e diskutojmë siç diskutojmë ligjet nen për nen dhe nëse biem dakord e firmosim dokumentin për të finalizuar marrëveshjen dhe të kalojmë te emrat.

Enkelejd Alibeaj: Do ta diskutojmë tani me kamera, pa lëvizur nga vendi, unë jam gati.

Leave A Reply

Your email address will not be published.