Miratohet Ligji, u zure jashtë shtëpisë pa leje, arrestohesh dhe dënohesh me burg

0 380

Sot Kuvendi, Mazhoranca dhe Presidenti kanë manifestuar përgjegjshmëri në situatën ku ndodhet vendi përballë koronavirusit.

Parlamenti ka votuar sot ndryshimet në Kodin Penal ku parashikohen masa më të rrepta për ata që thyejnë rregullat e karantinimit. 88 deputetë të mazhorancës votuan ndryshimet e reja duke marrë parasysh të gjitha rekomandimet e Presidentit të Republikës.

Para votimit të Kodit, Komisioni i Ligjeve zhvilloi një mbledhje me deputetët ku, sipas kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, u diskutua për letrën e Presidentit Ilir Meta lidhur me zbutjen e masave ndëshkuese.

Sipas ndryshimeve të reja të Kodit Penal, moszbatimi i karantinimit nga mbartësit e sëmundjes ose jo, dënohet me  2-3 vjet burg. Përhapja e sëmundjes infektiveve nga personi që është diagnostikuar, por nuk pranon të izolohet dënohet me 2-5 vjet burg.

Kur përhapja e sëmundjes shkakton pasoja me humbjen e jetës së të tjerëve ose përhapet qëllimisht dënohet me 3-8 vjet burg. Masat e votuara në seancë janë më të buta sesa varianti paraprak i Partisë Socialiste që parashikonte deri në  15 vjet burg.

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha para votimit se në variantin final të ndryshimeve të Kodit Penal janë marrë parasysh rekomandimet e kreut të shtetit dhe organizatave që kanë shprehur kritika.

“Dje është zhvilluar një mbledhje e dytë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një nga pikat ishin ndryshimet në Kod. Presidenti dhe Këshilli i Sigurisë, duke filluar nga kryeministri dhe ministrat që asistuan në mbledhje, dhe unë në emër tuaj, e njoftova këtë mbledhje lidhur me adresimin e shqetësimeve të 14 institucioneve të shtetit shqiptar dhe 30 organizatave të shoqërisë civile, dhe presidenti në fund kërkoi nga ekzekutivi dhe nga mua si kryetar parlamenti ta njihja me përfundimet e arritura nga mbledhja e komisionit të ligjeve. Unë i vura në dispozicion produktin final të komisionit të ligjeve, me relacionin dhe adresimin e shqetësimeve. Sot gjatë seancës presidenti duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse president-parlament ka shprehur vullnetin e tij ashtu si dhe disa rekomandime të cilat u pasqyruan qartë dhe saktë në ato që parashtroi kryetari i mazhorancës, që i konsultoi edhe me grupet e tjera”, sqaroi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, duke hedhur në votim riformulimet në ndryshimin e Kodit Penal, sipas propozimeve të Presidentit Meta.

Propozimet e Presidentit për ndryshimet në Kodin Penal:

Neni 89/b

Përhapja me dashje e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostifikuar si mbartës i sëmundjes, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohen me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

Kur nga vepra, është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.

Leave A Reply

Your email address will not be published.