Mund të shkaktojnë ankth dhe depresion tek ata që i besojnë, teoritë e konspiracionit mbi Covid-19

0 28

Teoritë e konspiracionit, kanë qenë gjithmonë një pjesë mbizotëruese e kulturës pop. Por 2vitet e fundit kjo paranojë ka shënuar kulme të reja. Shumë njerëz mund të jenë të njohur me termin “plandemi”, apo refuzimin për të besuar “historinë zyrtare” mbi Covid-19.

Tani një studim i ri nga Polonia, pretendon se teori konspirative mund të jenë të dëmshme për ata që i besojnë, veçanërisht tek ata që janë të prirur ndaj depresionit dhe ankthit. Sondazhet në SHBA tregojnë se 1 në 4 amerikanë beson se Covid-19 ishte “planifikuar qëllimisht nga njerëz të plotfuqishëm”.

Ndërkohë, përtej Atlantikut, sondazhet zbulojnë se afro 30-40 për qind e evropiano–perëndimorëve (Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Bashkuar) mendojnë se qeveritë e tyre lokale kanë përfituar nga pandemia për të vendosur kontrolle më të rrepta mbi qytetarët,apo se po bashkëpunojnë me kompanitë farmaceutikë për të fshehur efektet anësore të vaksinave.

“Këto sondazhe tregojnë se dhjetëra miliona njerëz janë të hapur ndaj besimit në një nivel konspirativ si rezultat i epidemisë së Covid-19. Studimi ynë tregon për herë të parë se këta njerëz janë më të rrezikuar nga simptomat më serioze të ankthit ose depresionit, sesa pjesa tjetër e popullsisë. Dhe siç e ka treguar Organizata Botërore e Shëndetësisë, besimet e rreme mund të vënë në rrezik edhe pjesën tjetër të popullsisë”- thotë studiuesi kryesor dr.PavëlDebski nga Universiteti Mjekësor i Silezisë

Shumë studiues nga një sërë universitetesh polake rekrutuan rreth 700 vullnetarë (585 gra, 115 burra) me një moshë mesatare pak më të vogël se 25 vjeç. Më pas ekipi pyeti secilin pjesëmarrës për bindjet vetjake. Studiuesit gjetën një mënyrë të re për të matur besimet konspirative në lidhje me Covid-19.

Ata e quajtën metodën e re Shkalla e Besimeve Konspirative Covid-19. Studiuesit e kombinuan atë me sondazhe të tjera të ndryshme, si për shembull Shkalla e Besimeve Konspirative Gjenerike dhe Shkalla e Ankthit dhe Depresionit në Spital. E para vlerëson se sa beson një person tek teoritë kryesore të konspiracionit (Iluminati, alienët e maskuar etj.), ndërsa e dyta mat nivelet e ankthit dhe depresionit.

Pas përfundimit të të gjitha këtyre anketave, studiuesit grumbulluan rezultatet për secilin person për të vlerësuar nëse besimi specifik tek komplotet mbi Covid-19, lidhet me besimin tek teoritë e tjerat të komplotit, si dhe me rolin apo ndikimin e ankthit dhe depresionit.

“Ne vumë re se ankthi mund të rritet tek ata që shprehin besim tek teoritë e konspiracionit.Por tek ata ka edhe një rritje shumë të konsiderueshme të ashpërsisë së simptomave të depresionit. Në këtë fazë, ne nuk jemi në gjendje të themi nëse besimi tek teoritë e konspiracionit, shkakton më shumë ankth dhe depresion, apo nëse njerëzit që janë më depresivë tërhiqen më shumë nga këto teori”– shpjegon dr.Debski. / StudyFinds – Bota.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.