Ndërkohë që gjithë bota ishte e mbyllur, këta njerëz shtonin miliardat

0 187

The Economist

Ajo ngjarje i kishte të gjitha karakteristikat e një feste të Vitit të Ri. Fishekzjarrë, të rinj që kërcenin, këndonin, dhe valëvisnin flamuj, muzikë e lartë. Vetëm se nuk ishte një festë e fundvitit, por një mbrëmje korriku. Shpërthimi i fishekzjarrëve, u shoqëruan me të shtëna armësh.

Në kryeqytetin e Kilit, Santiago, të pranishmit ishin mbledhur për të mbajtur zi për vrasjen e një njeriu që me sa duket ishte i lidhur me trafikantët e drogës, gjatë asaj që duhet të ishte një bllokim kombëtar për shkak të pandemisë. Kili është cilësuar prej kohësh si një nga vendet më të sigurta në Amerikën Latine.

Por sipas kreut të policisë kiliane, në periudhën midis majit 2019 dhe dhjetorit 2020, bandat kriminale organizuan gati 800 nga të ashtuquajturat “narko-funerale”. Zakonisht shfaqje të tilla madhështore lidhen me baronët meksikanë të drogës. Por ato janë gjithashtu gjithnjë e më të përhapura në Kili, ku dhuna është në rritje.

Në vitin 2020, vrasjet në burgjet e Kilit, 61 të tilla, arritën nivelin më të lartë në 4 vitet e fundit. Ato janë vetëm një nga provat e rritjes së ndikimit të bandave kriminale në mbarë Amerikën Latine. Në disa aspekte kjo situatë është befasuese, pasi pandemia e Covid-19 e ka goditur rëndë këtë rajon.

Shumë njerëz prisnin që ajo të ndalte dhe dëmtonte jo pak edhe trafikantët e drogës. Këta të fundit ishin nën presion edhe para pandemisë, për shkak të legalizimit të përdorimit të marijuanës në shumë vende, dhe burgosjes së bosëve të drogës në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.

Por ndërsa pandemia i pengoi shumë të rinj të dilnin dhe të dëfreheshin nëpër klube, kërkesa për droga si kokaina dhe ekstazi pritej të binte. Përveç kësaj, teksa mbylljet bllokuan zinxhirët e furnizimit për mallrat e përditshme, shumë analistët besonin se bandat kriminale do ta kishin më të vështirë të gjenin lëndët e para të nevojshme për të prodhuar drogë, apo për të kaluar mallrat e tyre përmes kufijve kombëtarë.

Në fakt ka ndodhur e kundërta. Pandemia ka konfirmuar se industria e drogës është elastike dhe shumë e adaptueshme ndaj rrethanave të reja. Edhe pse zinxhirët e furnizimit janë goditur, shumë prej tyre e kanë marrë veten shpejt.

Bandat kriminale e kanë shfrytëzuar situatën aktuale për të gjetur fuqi punëtore të re, duke punësuar fëmijët që kanë braktisur shkollat në Kolumbi për të mbledhur kokën, si dhe kanë rekrutuar “korrierët kibernetikë të drogës”, për t’i kthyer në kriptomonedha fitimet e tyre nga trafiku.

Por ndërsa industria ka ndryshuar, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për politikat e SHBA-së kundër narkotrafikut. Për gjysmë shekulli, administratat presidenciale në Uashington, janë përpjekur pa sukses që të ndalin fluksin e drogës në vend.

Tani politikat e presidentit Joe Biden, duket se duan kanë si prioritet ndalimin e flukseve të parave që burojnë nga kjo veprimtari ilegale. Në 15 dhjetor 2021, Biden nënshkroi 2 projektligje. I pari krijoi një Këshill Kombëtar, që ka për detyrë luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, ndërsa i dyti vendosi sanksione ndaj 24 grupeve të përfshira në trafikun e drogës, abcnews.al.

Mbetet për t’u parë se çfarë ndryshimi do të sjellin këto dy lëvizje. Fitimet nga shitja e drogave ilegale janë aq të mëdha, sa që shpikja e mënyrave kreative për të shmangur autoritetet, është vetëm një nga kostot e drejtimit të këtij biznesi ilegal.

Ndalimi ka rezultuar deri më tani i paefektshëm në çdo segment të zinxhirit të furnizimit. Në Kolumbi, një vend që prodhon më shumë se 60 për qind të kokainës në botë, ushtria asgjësoi në vitin 2020 sasi rekord të plantacioneve të kokainës. Por fermerët kanë mbjellë rrënjë të reja.

Kësisoj pavarësisht fushatës anti-drogë dhe shqetësimit të shkaktuar nga Covid-19, prodhimi i kokainës ka arritur nivele rekord. Edhe në Peru, vendi i dytë më i madh prodhues në botë, çmimet e gjetheve të kokës -1.40 dollarë për kilogram – janë 50 për qind më të larta sesa në vitin 2019.

Koka mbetet më fitimprurëse sesa kulturat e tjera bujqësore, thotë Marianne Zavala e Shoqatës Kombëtare të Kultivuesve të Kokës. Të mësuara me kontrabandimin e mallrat e tyre përtej kufijve kombëtarë, bandat kriminale i janë përgjigjur me mënyra inovative bllokimeve për shkak të pandemisë.

Në Meksikë, ato hapën tunele dhe përdorën dronët për të vazhduar furnizimin e SHBA-së me kokainë dhe droga të tjera, thotë Irene Mia nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike në Londër. Të tjerët ishin edhe më të pacipë.

Në shtator e vitit 2021 një grup kriminal brazilian vodhi 3 avionë, përfshirë njërin që i përkiste Almir Sater, një këngëtari shumë popullor në këtë vend. “Il Primeiro Comando da Capital”, një organizatë kriminale e themeluar nga të burgosurit në vitet 1990 – e cila është në krye të listën së grupeve që synon të vendosë Biden në listën e zezë – është mbështetur rregullisht tek zyrtarëve të korruptuar të rrugëve dhe porteve braziliane për të ruajtur biznesin e saj, thotë Marcos Alan Ferreira i Universitetit Federal të Paraibas në qytetin e Zhoao Pesoa.

Me mbylljen e rrugëve dhe anulimin e fluturimeve tregtare, trafikantët e kanë rritur përqindjen e drogës që transportohet përmes lumit, liqenit dhe detit. Ashtu si kompanitë e tjera, ata janë të frustruar nga vonesat e gjata të transportit dhe rritja e kostove të transportit. Kështu, shumë prej tyre kanë rritur përmasat e ngarkesës së tyre në kontejnerë, gjë që ka çuar në sekuestrimin e ngarkesave rekord të kokainës. Të tjerë kanë marrë jahte dhe nëndetëse me qira. Por pandemia ka përshpejtuar edhe disa tendenca ekzistuese.

Sipas Drug Enforcement Administration (DEA), agjencia amerikane kundër drogës, grupet kriminale merren vesh me klientët kryesisht përmes rrjeteve sociale ose aplikacioneve të mesazheve, dhe jo përmes rrjetit të errët, Dark Web, (edhe pse këto tregje kanë ende një xhiro prej rreth 315 milionë dollarësh në vit).

Dixhitalizimi është zgjeruar edhe në fusha të tjera. Kriptovalutat si Bitcoin, që është tashmë monedha zyrtare në El Salvador, e bëjnë më të lehtë pastrimin e parave. Për vite me radhë, bandat kriminale janë zhvendosur në prodhimin dhe trafikimin e droga të reja sintetike, si metamfetamina, fentanili dhe lloje më të fuqishme të marijuanës.

Tani edhe kjo tendencë është përshpejtuar. Sipas statistikave të publikuara në dhjetor 2021 nga Departamenti i Mbrojtjes në Meksikë, 3.500 kilogramë fentanil u sekuestruan midis viteve 2019-2020, krahasuar me vetëm 560 kg gjatë viteve 2016-2018.

Fentanili është një drogë më e fuqishëm se heroina, dhe çdo vit ai vret dhjetëra mijëra amerikanë për shkak të mbidozës. Përveç diversifikimit të tregut drogës, trafikantët po zgjerohen edhe në sektorë të tjerë. Disa prej tyre po vjedhin makina ose karburant nga tubacionet që transportojnë naftë ose para nga bankat.

Dhe fakti që policia qëndron në shtëpi për të mos u sëmurur nga Covid-19, është një ndihmë shumë e madhe për ta. Kur një bandë kriminale vendos monopolin e dhunës në territorin e saj, ajo mund të kontrollojë apo të kërkojë një përqindje nga të gjitha aktivitetet e paligjshme që zhvillohen brenda saj.

Bandat meksikane e bëjnë këtë përmes grabitjes së emigrantëve që udhëtojnë nga Amerika Qendrore drejt Shtetet e Bashkuara. Vlerësohet se ata fitojnë deri në 5 miliardë dollarë në vit duke i ndihmuar emigrantët të kalojnë kufijtë, por shpesh edhe duke i grabitur gjatë udhëtimit Grupet kriminale që kanë përfituar më shumë nga pandemia, janë ato me rrjete të forta ndërkombëtare. Ato meksikane – disa prej të cilave përdorën portin kilian të Valparaisos për të trafikuar drogën përpara Covid-19 – u gjendën në një pozicion të favorshëm falë rritjes së aktivitetit në Kili gjatë pandemisë.

Por natyra e këtyre bashkëpunimeve po ndryshon. Rrjetet kriminale po mbështeten më pak në kontrollin e rreptë të bosëve tradicionalë kolumbianë dhe meksikanë të drogës, duke  u decentralizuar. Për shembull “Il Primeiro Comando da Capital”, e kontrakton aktivitetin saj tek disa degë në Paraguaj.

Për sa kohë që drogat janë të paligjshme, ato do të mbeten burimi më i lehtë i fitimit për këto organizata. Pandemia nuk e ka frenuar aspak kërkesën për drogë. Dhe masat e izolimit nuk i kanë ndalur furnitorët që ta plotësojnë këtë kërkesë të vazhdueshme.

Leave A Reply

Your email address will not be published.