Ndeshjet e qershorit, Edi Reja publikon listën

0 44

Trajneri i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka zyrtarizuar edhe listën me emrat e 26 lojtarëve që janë ftuar për tre sfidat e qershorit, ndaj Islandës në transfertë më 6 qershor, ndaj Izraelit në shtëpi më 10 qershor të vlefshme për Ligën e Kombeve dhe miqësoren me Estoninë në stadiumin “Air Albania” më 13 qershor. Nuk ka ndryshime teksa pjesë më e madhe e lojtarëve që kanë qenë në grumbullimin e marsit do të jenë të gatshëm edhe për ndeshjet e radhës.

Rikthehen pas dëmtimeve mbrojtësi Kastriot Dermaku, mesfushori Nedim Bajrami dhe Amir Abrashi, ndërkohë që trajneri italian i Kombëtares ka vendosur të ketë në listën e pritjes edhe 9 lojtarëve, duke qenë se kalendari është mjaft i ngjeshur dhe mund të ketë probleme fizike për shkak të ngarkesës. Në këtë listë janë Thomas Strakosha, Jon Mersinaj, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami, Albi Doka, Kevin Haveri, Enis Çokaj, Lindon Selahi dhe Ernest Muçi.

Në listën e të grumbulluarve për tre ndeshjet e qershorit mungojnë mesfushorët, Qazim Laçi dhe Keidi Bare të cilët janë të dëmtuar. Sulmuesi Rei Manaj nuk ndodhet as në listën e pritjes. Nga Kategoria Superiore janë thirrur dy lojtarët e sapo shpallur kampionë me Tiranën, Erion Hoxhallari dhe Taulant Seferi.

Disa nga lojtarët mbërrijnë që sot në grumbullimin e përfaqësueses në kompleksin Tropikal në Durrës me grupin që kompletohet të premten. Ndërkaq, trajneri Edoardo Reja do të dalë në një konferencë për mediat po të premten në mesditë nga grumbullimi i ekipit, për të folur në lidhje me zgjedhjet e tij dhe tre sfidat e qershorit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.