Ndjekja penale për dhunën në protesta nxjerr pak lidhje me Antifën

0 480

Departamenti amerikan Drejtësisë veproi me shpejtësi për të ngritur akuza federale kundër 53 personave të akuzuar për dhunë gjatë protestave mbarëkombëtare që përfshinë Shtetet e Bashkuara duke kërkuar t’i jepet fund dhunës ndaj policisë. Prokurori i Përgjithshëm, William Barr premtoi masa energjike ndaj anëtarëve të lëvizjes antifashiste të njohur si Antifa dhe grupeve të tjera “ekstremiste” të cilat siç tha, kanë ndihmuar në nxitjen e akteve të dhunës. Por pas një shqyrtimi që agjencia e lajmeve “Reuters” i ka bërë të dhënave të gjykatave federale në lidhje me akuzat, postimeve në median sociale nga disa prej të dyshuarve si dhe intervistat që ata kanë dhënë për avokatët e tyre mbrojtës e prokurorët e çështjes, ka gjetur se pjesa më e madhe e akteve të çorganizuara të dhunës, janë kryer nga njerëz të cilët kanë pak lidhje të dukshme me Antifa-n apo grupime të tjera të majta.

“Reuters” shqyrtoi vetëm çështjet që po trajtohen në nivel federal, për shkak të pretendimeve të Departamentit të Drejtësisë për përfshirjen e Antifa-s e grupimeve të ngjashme me të, por edhe për faktin se akuzat federale në përgjithësi parashikojnë dënime më të ashpra. Në disa nga dokumentet e shqyrtuara nga “Reuters” që lidhen me paditë, nuk ngrihej asnjë pretendim për akte dhune. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë gjetjet e “Reuters” dhe iu referua një interviste që zoti Barr i ka dhënë “Fox News” të hënën. Ai shprehej se ndërsa departamenti i tij kishte nisur disa hetime në lidhje me Antifa-n, ishte ende në “fazën fillestare të identifikimit të personave”.

Plaçkitja e dhuna shpërtheu në disa prej qindra demonstrimeve kryesisht paqësore gjatë javës së kaluar, protesta që u nxitën nga vdekja më 25 maj e George Floyd, një afrikano-amerikani, pasi një oficer i policie i Mineapolisit i mbajti atij për rreth 9 minuta gjurin mbi qafë. Polici Derek Chauvin është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë dhe tre oficerë të tjerë të cilët u ndodhen në vendngjarje, për ndihmë e mbështetje të tij. Ndërsa zoti Barr dhe Presidenti Donald Trump kanë veçuar në mënyrë të përsëritur Antifa-n, një lëvizje amorfe e kryesisht e majtë (emër që rrjedh nga “antifashistët”), si një nxitës kryesor të protestave të dhunshme, termi nuk shfaqet në asnjë prej dokumentave e padive federale të shqyrtuara nga “Reuters”. Por egzistojnë mundësitë që ndërsa çështjet përparojnë të shfaqen më shumë prova.

Në padi përmendej me emër vetëm një grup, e ashtuquajtura lëvizja “boogaloo”, ndjekësit e së cilës, sipas prokurorëve, besojnë tek një luftë civile e pashmangshme dhe e afërt. Ekspertët që kanë njohuri mbi këtë grup i cili që ushqen urrejtjen, thonë se pasuesit e “boogaloo” janë kryesisht një përzierje e ekstremistëve të djathtë. Prokurorët pretendojnë se tre persona të lidhur me lëvizjen kanë komplotuar për të vendosur eksplozivë në Las Vegas me shpresën për të provokuar trazira përpara nisjes së një proteste. Tre të dyshuarit janë planifikuar të paraqiten në gjykatën federale të hënën dhe ende nuk kanë bërë ndonjë marrëveshje me prokurorinë për pranim faji lidhur me akuzat. Avokatët e tyre nuk iu përgjigjën kërkesave për komente. Personat kanë folur me policinë mbi prirjet e tyre ideologjike, por pa pretenduar besnikëri ndaj ndonjë grupimi të veçantë. Në Masaçusets, 18-vjeçari Vincent Eovacious u akuzua për posedi të një bombe Molotov dhe sipas padisë së ngritur ndaj tij i kishte thënë oficerit që e kishte arrestuar se ai ishte “me një grupim anarkist”. Zyra e prokurorit të shtetit tha se nuk kishte informacion shtesë se çfarë donte të thoshte ai me këtë deklaratë. Avokati i tij nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

Një tjetër person, Brian Bartels, i arrestuar në Pensilvani për ngjyerjen dhe shkatërrimin e një automjeti policie, e përshkroi veten si “të majtë radikal”. Avokati i tij, Joseph Otte, nuk pranoi të komentojë. Një tjetër person në Lubok të Teksasit, 25-vjeçari Emmanuel Quinones, kishte tundur në ajër një armë zjarri në protestë e kishte bërtitur: “ky është revolucion” dhe “Presidenti Trump duhet të vdesë” e më pas ishte arrestuar sipas prokurorëve. Ai pranoi se kishte postuar mesazhe në mediat sociale që synonin të frikësonin mbështetësit e zotit Trump. Avokati i zoti Quinones nuk pranoi të komentojë.

Profilet e mediave sociale të shqyrtuara nga “Reuters” tregojnë një varg pikëpamjesh, përfshirë anarkizmin, anti-racizmin e pikëpamje antiqeveritare. Ca’Quintez Gibson, 26 vjeç, u arrestua nën dyshimet për përdorim të postimeve në Facebook dhe mesazheve të mbushura me imazhe dixhitale (emoji) për të inkurajuar njerëzit që të plaçkisin në Peoria të Ilinoisit. Por John Milhiser, Prokurori i Përgjithshëm në Springfilld të Illinois, zyra e të cilit po ndjek çështjen, i tha agjencisë “Reuters” se zoti Gibson nuk kishte motive apo lidhje me ndonjë grup politik. Avokati i zotit Gibson nuk ka bërë komente mbi çështjen.

Barbara McQuade, e cila ka qenë prokurore për Distriktin Lindor të Miçiganit gjatë administratës Obama, tha se prokurorët ishin përgjithësisht të kujdesshëm në ngritjen e pretendime të bazuara në ideologjinë e dikujt, për shkak të garancive kushtetuese që ka fjala e lirë. Michael German, një ish-agjent i FBI-së dhe bashkëpunëtor i Qendrës Brennan për Drejtësi, tha se qeveria mund të sjellë më shumë prova në gjyq, por “mungesa e të dhënave të qarta të përfshirjes së antifashistëve në këto protesta tregon se ata nuk po e drejtojnë dhunën që përfshinë protestat”, siç tha ai. Megjithatë zyrtarët e fushatës së zotit Trump për garën e muajit nëntor për të fituar një mandat të dytë po bëjnë thirrje për kontribute për fushatën duke reklamuar qëndrimin e presidentit kundër Antifa-s.

Shumica e të arrestuarve, rreth të 40, janë akuzuar për vepra të dhunshme në protesta, nga hedhja e bombave me Molotov tek zjarrvënia apo grabitja e dyqaneve, bazuar në fotografi e dëshmi të përfshira në paditë penale. Në pjesën tjetër të rasteve, nuk kishte akuza serioze për dhunë sipas gjetjeve të “Reuters”. Disa nga të arrestuarit u akuzuan vetëm për posedim të drogave të paligjshme apo armë zjarri. Një person i arrestuar në Florida, John Wesley Mobley Jr., u akuzua se ishte hequr si oficer policie dhe në momentin e arrestimit i ishin gjetur një armë dhe një dokument i rremë identifikimi si punonjës i zbatimit të ligjit, kjo sipas dokumenteve federale mbi padinë e ngritur ndaj tij. Zoti Mobley ka një histori me aktivitete kriminale dhe në të shkuaren ishte hequr si polic thuhet në padi. Avokatja e tij, Karla Mariel Reyes, nuk pranoi të komentojë.

Një person i arrestuar në Madison të Uiskonsit, Kyle Olson, kishte një armë të mbushur të cilën ai tha se e kishte marrë me vete në protesta “për t’u mbrojtur”, thuhet në dokumentet e gjykatës. Joseph Bugni, avokati i shtetit që përfaqëson zottin Olson, tha se klienti i tij nuk kishte “asnjë motiv politik”. Një tjetër person i akuzuar në Uiskonsin, Anthony Krohn, u gjet nga policia i shtrirë nën efektin e lëndëve narkotike, në afërsi të organit ligjvënës të Uiskonsit me një plagë të rëndë në këmbën e tij shkaktuar me armë zjarri, të cilën siç tha ai ia kishte shkaktuar vetes aksidentalisht. Avokati i zoti Krohn, Peter Moyers, tha që klienti i tij nuk kishte “histori aktivizmi politik”.

Avokatët e disa prej personave të akuzuar thanë se ishin të befasuar që FBI-ja ishte përfshirë në raste që zakonisht merreshin në shqyrtim nga prokurorët e shteteve.Kreu i njësisë së zbulimit të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, John Miller, u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp se kishte shenja për një dhunë të organizuar nga “grupe anarkiste” që kishin ardhur “të përgatitur për të shkaktuar dëme ndaj pronës” në “dyqane të shtrenjta në pronësi të koorporatave” dhe se kishin zhvilluar një “rrjet kompleks personash të pajisur me motoçikleta” për të raportuar rreth lëvizjeve të policisë. Por asnjë nga tetë personat e akuzuar nga Departamenti i Drejtësisë së Nju Jork nuk dyshohet se kishin lidhje me grupe specifike anarkiste sipas dokumenteve të gjykatës. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut nuk i ështe përgjigjur deri tani kërkesave për koment lidhur me gjetjet e “Reuters”.

/VOA/

Leave A Reply

Your email address will not be published.