Ndryshimet në Polici: Impuls i ri për një ambient sa më të sigurt shoqëror

0 50

Pas skandaleve dhe problemeve në disa dogana të vendit, e fundit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit e Migracionit të Tiranës, ka bërë që në kupolën e Policisë së Shtetit të ketë ndryshime. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka firmosur urdhrin për 6 lëvizje. Lëvizjet e firmosura prekin disa drejtori në qarqe dhe postet drejtuese të kufirit në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër.

Pas skandalit, që fillimisht solli ndalimin dhe më pas gjykata e liroi nga qelia dhe e pezulloi Enkeleda Toskën, të akuzuar si të implikuar në trafikun e arabëve, në vendin e saj në drejtorinë e kufirit dhe migracionit në Tiranë u emërua Arben Ibro. Nga ana tjetër, dogana në Korçë është bërë një rrugë e artë për refugjatët që kalojnë lehtësisht duke paguar edhe shifra që shkojnë nga 500 euro.

Me këto lëvizje, Policia e Shtetit synon që të përmirësojë situatën, duke marrë parasysh edhe që pandemia e Covid-19 në Shqipëri ende nuk është larguar, puna në këto dogana dhe drejtori është e lartë. ”Me qëllim dhënien e një impulsi të ri luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, goditjes së kultivimit të kanabisit dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt shoqëror”,-thekson Policia e Shtetit.

Deklarata e plotë

Ndryshime në disa Drejtori Vendore të Policisë në qarqe dhe Drejtori Vendore për Kufirin dhe Migracionin. Me qëllim dhënien e një impulsi të ri luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, goditjes së kultivimit të kanabisit dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt shoqëror, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, mëngjesin e sotëm, ka firmosur një sërë lëvizjesh të disa drejtorëve vendorë dhe atyre të kufirit.

Në këtë kuadër, Drejtues Ferdinand Mara nga këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm është emëruar Drejtor i DVP Korçë. Drejtues i Parë Lorenc Panganika, deri tani Drejtor i DVP Korçë, transferohet dhe emërohet Drejtor në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

Drejtues i Parë Neritan Nallbati nga Drejtor i Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit është emëruar Drejtor i DVP Berat. Drejtues Hasan Ahmetaj, deri tani Drejtor i DVP Berat, transferohet dhe emërohet Drejtor në Drejtorinë e Kufirit pranë Departamentit për Kufirin edhe Migracionin.

Kryekomisar Arben Joco, deri tani Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Korçë, transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Gjirokastër. Kryekomisar Idajet Hoxha, deri tani Drejtor në Drejtorinë e Kufirit Gjirokastër, transferohet dhe emërohet specialist në Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtues i Parë Bledar Çeliku nga Drejtor në Drejtorinë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale emërohet Drejtor i DVP Fier. Kryekomisar Andon Marko deri tani Drejtor i DVP Fier transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Korçë. Kryekomisar Arben Ibro, me detyre asistent në Departamentin e Ruajtjes dhe Sigurisë në Akademinë e Sigurisë, transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Tiranë.

Kryekomisar Mirash Loci, deri tani specialist në Departamentin e Kufirit, transferohet dhe emërohet Drejtor në Drejtorinë për Kufirin Vlorë. Kryekomisar Luan Hysenaj, deri tani Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Vlorë, transferohet dhe emërohet Shef Sektori në Drejtorinë për Kufirin dhe Migracionin Tiranë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.