Nikolla për DW: Iniciativat ligjore s’janë të kufizuara! Berisha ndër vite ka spikatur për gjuhën e vrazhdë

0 21

Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, zhvilloi vizitën e saj të parë në Gjermani.

Në një intervistë ekskluzive për DW ajo flet për rolin e Gjermanisë në rajon dhe krizën institucionale në Shqipëri.

Deutsche Welle: Zonja Nikolla, ju u takuat me kryetaren e Parlamentit të Gjermanisë, zonjën Bärbel Bas. Çfarë mund të bëjë Gjermania për ta ndihmuar Shqipërinë drejt integrimit në BE?

Lindita NIkolla: Po është e vërtetë, pata një takim mbresëlënës me Presidenten e Bundestagut, e cila rikonfirmoi edhe njëherë atë që është qëndrimi zyrtar i Gjermanisë mike dhe partnere e rëndësishme e Shqipërisë, mbështetjen që Gjermania ka për Shqipërinë, por jo vetëm, edhe për Maqedoninë e Veriut, për çeljen e negociatave dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ma përmendi disa herë faktin që si kancelari Scholz, ashtu edhe Presidentja e Bundestagut, janë të vendosur për të mbështetur dhe për të filluar një herë e më parë hapjen e Europës për vendet si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me interes jo vetëm për këto dy vende, por edhe me një interes strategjik për vetë Europën. Ne folëm për Ukrainën, për mbështetjen që Gjermania ka dhënë, për mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për Ukrainën dhe do të vijojë në ditët që pasojnë, për detyrën e lartë që po kryen Shqipëria në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe sesi do të përballohet një krizë e mundshme energjetike dhe ushqimore. Ishte një takim i ngrohtë, që do të pasohet nga vizita të tjera të kryetares së Bundestagut në Shqipëri dhe një vizitë time në landin e zonjës Bas në landin Renania Veriore-Vestfalia, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh.

Çfarë do të përfitonte Shqipëria, konkretisht Kuvendi i Shqipërisë, nga çelja e negociatave?

Sigurisht, Parlamenti i Shqipërisë ka kohë që punon për standardet evropiane, duke i dhënë qasjen evropiane të gjitha ligjeve që ka. Bashkëpunimi me parlamentet evropiane do të jetë një e dhënë bazë e Parlamentit shqiptar, sigurisht, për të vijuar në të gjitha ato reforma që ka nisur. Çelja e negociatave nuk është fundi i procesit, por vetëm fillimi. E rëndësishme është që ne të avancojmë në këtë rrugë dhe që Shqipëria të mos e ulë në asnjë moment ritmin e reformave që janë së pari reforma për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.

Një nga projektet e Gjermanisë në rajon është Procesi i Berlinit. Në kuadër të tij është dakordësuar Tregu i Përbashkët Rajonal, i cili nuk ka funksionuar siç duhej.

Ju ndërkohë keni krijuar nismën e Ballkanit të Hapur, e cila kundërshtohet nga Kosova. A biseduat për këtë çështje me zonjën Bas? Cili është mesazhi i Gjermanisë?

Po. Folëm edhe për bashkëpunimin rajonal, edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur dhe mesazhi ishte që duhet avancuar në bashkëpunimin rajonal, sepse përmes bashkëpunimit rajonal ka të mira që i mirëpresin të gjitha vendet që futen në këtë bashkëpunim. Por, sigurisht, duhen parë në një ombrellë të madhe siç është Procesi i Berlinit. Edhe Open Balkans mundëson krijimin e një tregu të përbashkët, krijimin e mundësive dhe zbatimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian dhe iniciativa të tjera, si iniciativa e gjelbër, iniciativa digjitale etj., që janë në fokus edhe të Bashkimit Evropian.

Serbia është një nga vendet e rajonit të cilët bëjnë një politikë ambivalente ndaj Rusisë. Sa shqetësuese është për Shqipërinë si partnere e Serbisë në rajon një politikë e tillë?

Ne jemi bashkëpunëtorë rajonalë dhe jemi për bashkëpunimin rajonal, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, por patjetër me shikimin drejt Europës, drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është e vendosur dhe nuk ka plan tjetër, përveç një plani, që është plani A: Integrimin në familjen e madhe evropiane.

Shqipëria po përjeton një krizë ndërmjet Parlamentit dhe Presidentit. Sa e pengon funksionimin siç duhet të Parlamentit shqiptar, sipas jush?

Iniciativat ligjore nuk janë të kufizuara. Përkundrazi, Parlamenti ka të gjithë përgjegjësinë dhe mundësitë për të avancuar me procedurat e ligjbërjes, për të pasur ligje më të mira, aty ku sa më shumë është e mundur për të pare ndjeshmërinë gjinore dhe sigurisht përshtatshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë edhe zgjedhja e Presidentit është një problem.

Raundi i tretë për gjetjen e një kompromisi sërish dështoi. A do të pranonit ju një propozim nga grupi parlamentar ku bën pjesë edhe zoti Berisha?

Unë jam Kryetarja e Kuvendit dhe unë përfaqësoj vetëm Kryetaren e Parlamentit, kam përgjegjësi të larta për t’u ngritur mbi palët dhe për të respektuar patjetër ato grupe dhe ato përfaqësues që mbrojnë vlerat më të qarta që janë vlerat euroatlantike. Për këtë unë jam e vendosur dhe patjetër do të mirëpres cilindo që është pozicionuar qartë në mbrojtje të vlerave euroatlantike. Do të thotë që në rast të kundërt do ta përjashtonit…Vetëm ata që janë në mbrojtje të vlerave euroatlantike. Kaq e thjeshtë është.

Ju kohët e fundit u sulmuat me fjalë edhe vetë nga zoti Berisha. Sa sfiduese është për ju të menaxhoni gjuhën e vrazhdë që përdoret shpesh në Kuvend?

Është e vërtetë që personalisht zoti Berisha ka spikatur në vite për gjuhën e vrazhdë. Por e rëndësishme është që mospërgjigja me të njëjtën monedhë, ruajtja e etikës, dhe mbi të gjitha mbështetja fort në rregullat që ka parlamenti dhe që janë të mishëruara në rregulloren e parlamentit. Është shumë i rëndësishëm ky respekt dhe patjetër etika dhe qytetaria në çdo hap./DW/

Leave A Reply

Your email address will not be published.