Nuk e fitoi betejën me Covid-19, mesazhet ngushëlluese për mjekun Drini Dobi

0 298

Mjeku i njohur neurolog, Drini Dobi nuk e fitoi betejën me Covid-19. Ai humb jetën në Itali, aty ku gjendej prej disa ditësh i shtruar, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, për të marrë një mjekim më të specializuar Mjeku 51-vjeçar doli pozitiv me virusin vdekjeprurës më 22 nëntor, por gjendja e tij shëndetësore dita-ditës u përkeqësua. Dobi ka qenë mjek neurolog në QSUT, prej më tepër se dy dekadash. Prej dy vitesh ai drejtonte Shërbimin Neurovaskular aty.

Kryeministri Edi Rama, i shpreh ngushëllimet familjes, miqve dhe kolegëve të doktorit Drini Dobi, ku thotë edhe se kjo humbje krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. ”Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar. Është e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij”,-shkruan Rama.

Qendra Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” i ka shprehur ngushëllimet familjes së mjekut të njohur Drini Dobi, i cili humbi betejën me Covid-19. ”Jemi shumë të brengosur për ndarjen nga jeta të Dr. Drini Dobi. Ai nuk është më mes nesh, por gjithçka ai bëri, do të mbetet e skalitur në kujtimet e të gjithëve. Kush e njohu, nuk mundi të mos e vlerësonte për përkushtimin dhe humanizmin e tij. Një mjek që shëroi shumë pacientë, një njeri me shpirt fisnik dhe i rrallë. Dr. Drini ka lënë gjurmë në jetën e të gjithëve atyre që e hasën në rrugëtimin e tij”.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj e ka cilësuar një lajm të kobshëm ndarjen nga jeta të mjekut të njohur neurolog, Drini Dobi. Brataj përmes një mesazhi prekës thotë se kishte shpresuar deri në fund që do të mund të shpëtonte nga kjo flamë.

”Ti njeri i punës, i familjes dhe shoqërisë. Ti që u merakose aq shumë për bashkëshorten tënde kur u sëmurë, i ndejte pranë derisa u shërua. Ti që më telefonoje ato ditë të tmerrshme marsi kur unë u sëmura dhe më jepje kurajo dhe këshilla mjekësore, më jepje besim dhe ishe i gatshëm për çdo ndihmë. Kur u ndodha në konferencën e parë të urgjencës mjekësore në Tiranë nuk e dija kush ishte referuesi i radhës. Rastësisht pashë emrin tënd sipas programit dhe të prezantova siç të kujtoja student. Kisha 22 vite pa të takuar, pa e ditur si ishin ndarë rrugët e jetës. Më gëzove shumë atë ditë që u ritakuam. Ishe bërë ai specialisti i spikatur, i urtë, i qetë dhe shumë i ditur”, vijon Brataj mesazhin e tij.

Leave A Reply

Your email address will not be published.