Nuk ka tym të bardhë, futbolli në vend ende pezull

0 385

Mbledhja e fundit e Ligës Profesioniste të Futbollit, nuk vendosi gjë përsa i përket filllimit të kampionatit apo fundit të bojkotit. Lajmi është konfirmuar nga vetë presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova vetëm disa minuta pas përfundimit të mbledhjes në zyrat e stadiumit të ri Air Albania. Libohova theksoi se për zgjidhjen e ngërçit që zgjat prej 2 muajsh i është dhënë kohë qeverisë deri ditën e enjte për një përgjigje lidhur me 4 kërkesat dhe plotësimin e tyre, ndërsa ditën e premte do të ketë një tjetër mbledhje të Ligës për marrjen e një vendimi përfundimtar.

”Ne do të presim deri ditën e enjte nëse do të kemi një përgjigje nga qeveria. Më pas do mblidhemi për të vendosur për bojkotin. Po i lëmë një afat tjetër, për të pasur një përgjigje dhe më pas do mblidhemi për të marrë vendimin përfundimtar. Nuk e dimë pse ende nuk ka ardhur një përgjigje përfundimtar.Nuk ka një ngërç. Nëse nuk vjen deri ditën e enjte, do mblidhte Liga ditën e premte dhe më pas do vendsim. Nuk kemi detaje se çfarë diskutoi Duka me Ramën, takimi ishte pozitiv, por nuk kemi detaje. Ky bojkot nuk e rrezikon kampionatin. Nuk është diskutuar asnjë propozim tjetër për kampionatin”, u shpreh Libohova.

Tashmë topi është në anën e qeverisë dhe gjithçka varet nga qëndrimi që do të mbajë ajo, e cila me përfaqësues të Ministrisë së Financave do të japë përgjigje zyrtare rreth qëndrimit që kanë klubet. Në fundjavë premisat dukeshin pozitive që palët të vendosnin për të hequr dorë nga bojkoti i kampionatit. Futbolli është ndalur në Shqipëri për shkak të katër kërkesave që i kanë paraqitur klubet qeverisë: ligji i sponsorizimeve, faljen e gjobave dhe kamatvonesave për detyrimet tatimore, heqjen e tatimit mbi fitim për të ardhurat personale të sportistëve për 10 vite dhe uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar në 6%. Dy pikat e fundit nga qeveria, janë cilësuar të ekzagjeruara dhe të pamundura për t’u vendosur.

Leave A Reply

Your email address will not be published.