OBSH: Për mposhtjen e Covid-19, duhet udhëheqje e fortë

0 70

Beteja me Covid-19 është e vështirë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se udhëheqësit që ndërmarrin masa të forta dhe i bindin qytetarët e tyre të përqafojnë masa të reja dhe të vështira për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, do të kenë sukses në mposhtjen e sëmundjes vdekjeprurëse. Tedros Adhanom Ghebreyesus thotë se një numër vendesh në rajone të ndryshme të botës kanë qenë në gjendje të vënë nën kontroll përhapjen e virusit herët.

”Zelanda e Re shihet si një shembull global. Gjatë fundjavës, Kryeministrja Jacinda Ardern shënoi 100 ditë pa asnjë rast, ndërsa theksoi nevojën për të qenë të kujdesshëm. Ruanda ka bërë përparim falë një kombinimi të ngjashëm të udhëheqjes së fortë, kujdesit shëndetësor universal, punonjësve shëndetësorë të mbështetur mirë dhe komunikimit të qartë të zyrtarëve të shëndetit publik”.

Nga ana tjetër, ai pohon se vendet që kanë investuar në identifikimin e shpejtë të rasteve të Covid-19, gjurmimin gjithëpërfshirës të kontakteve dhe kujdesin adekuat klinik për pacientët kanë arritur të thyejnë zinxhirët e transmetimit të virusit.

Drejtori i OBSH-së, shton edhe se të gjithë duan kthimin e fëmijëve në shkollë por doli kundër hapjes së shkollave me nxitim dhe pa garantuar sigurinë e fëmijëve dhe personelit të shkollave. Deri në gjetjen e trajtimeve dhe një vaksineje efektive, shefi i OBSH-së tha se mënyra më e mirë që vendet mund të përdorin për të mbrojtur njerëzit e tyre nga Covid-19 është zbatimi i masave themelore të mbrojtjes së shëndetit. Në mesin e tyre janë distancimi fizik, përdorimi i maskave dhe higjiena personale.

Leave A Reply

Your email address will not be published.