OFL dhe urdhëri i Lleshajt, evakuim me forcë nëse ka rezistencë

0 13

Të mërkurën OFL u rikthye në skemë. Dhe tani edhe me një udhëzim të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili parashikon boshatisjen e ndërtesave të njerëzve të krimit, të cilat janë objekt sekuestrimi që ka hyrë në fuqi, duket se do ta fuqizojë edhe më shumë OFL-në. Udhëzimi është hartuar në kuadër të aksionit të OFL-së, për goditjen e njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, izolimin fizik si dhe sanksionet ekonomike. Sipas këtij udhëzimi, ndërtesat e njerëzve të krimit do të boshatisen nga njerëzit dhe sendet.

Mësohet se Policia do të evakuojë njerëzit dhe çdo send nga hotelet, restorantet, lokalet, magazinat, dhe çdo pasuri tjetër e pabujshme, për të cilën është vendosur masa e sekuestros nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sipas aktit normativ ati-krim. Ky udhëzim nuk do të zbatohet vetëm për ndërtesat që funksionojnë për banim, ku në to jetojnë persona, të cilët nuk kanë mundësi tjetër strehimi.

Kur punonjësit e policisë hasin në rezistencë për të mos boshatisur ndërtesën e sekuestruar, ata plotësojnë procesverbal për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe zbatimin e urdhrit, sipas dispozitave të Kodit Penal. Në rast se në ndërtesën, objekt i masës së sekuestros, ndodhen fëmijë, persona me paaftësi mendore/fizike, gra shtatzëna apo persona në gjendje jo të mirë shëndetësore, zbatimi i urdhrit të evakuimit shtyhet dhe në çdo rast zbatohet pasi të jenë marrë masat paraprake të largimit vullnetar apo me asistencë mjekësore/sociale.

Operacioni i evakuimit, që nga momenti i fillimit e deri në përfundim, bëhet me regjistrim audiovizual. Kur ka rezistencë, parashikohet edhe përdorimi i forcës, por vetëm me urdhër të drejtuesit të operacionit, vetëm kur kjo është nevojshme dhe vetëm nëse të gjitha masat e tjera janë të pasuksesshme apo të pamundura.

Leave A Reply

Your email address will not be published.