Opozita drejt një fitoreje historike me mbi 100 deputetë

0 416

Partia Demokratike ka nisur dje procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie në zgjedhjet e ardhshme. Kryesia e partisë më të madhe në opozitë ka miratuar dokumentin me afatet kohore dhe kriteret e seleksionimit të gjithë emrave që do të kandidojnë në siglën e selisë blu. Sipas parashikimeve, brenda muajit shtator 2020, PD do të ketë gati listën e njerëzve të cilët do të përfaqësojnë alternativën e saj në fushatën elektorale.

Përveç detajeve proceduriale vendimi i PD-së është një sinjal për afrimin e zgjedhjeve. Nisja e përzgjedhjes së kandidatëve është hapi më konkret që opozita po bën për fushatën e ardhshme zgjedhore. Praktikisht zgjedhjet janë afër dhe nuk do të kemi vetëm zgjedhje parlamentare, por edhe zgjedhje për drejtuesit e 61 bashkive të vendit.

Vendimi i PD-së për nisjen e garës për kandidatët vjen në kohën kur opinioni publik është bombarduar mbi dobinë e listave të hapura në proceset elektorale. Një pjesë e deputetëve të “opozitës” parlamentare kanë gjetur si sebep këtë kërkesë për të kushtëzuar miratimin e reformës zgjedhore dhe më pas kanë futur dhe kërkesën e Edi Ramës për ndalimin e koalicioneve. Kërkesa për ndalimin e koalicioneve është një ide e gabuar dhe anti demokratike që as nuk duhet shtruar për diskutim. Ndërsa ajo e listave të hapura në situatën aktuale të krizës politike nuk do të zgjidhte asgjë. Projekti që PD dhe Lulzim Basha miratuan dje për emrat e kandidatëve jep një zgjidhje të pranueshme edhe për çështjen e listave. Emrat e atyre që do të kandidojnë në emër të partisë nuk janë ekskluzivitet i kryetarit dhe nuk prezantohen në minutën e fundit. Anëtarësia e PD do të depozitojë, sipas zonave, emrat e njerëzve që kërkon ta përfaqësojnë. Më pas një Komision Vlerësimi në PD që ka pak a shumë rolin e njëlloj Vettingu të kandidatëve do t’i miratojë ato mbi bazën e kritereve politike dhe profesionale.

Emrat e ardhur nga kandidatë që do të kalojnë në Komision do të marrin miratimin final në Kryesinë e PD-së. Veç këtyre procedurave, PD ka vendosur në rregullore se asnjë kandidat nuk do të pranohet nëse ka probleme me ligjin e dekriminalizimit. Risia e kësaj skeme është se anëtarësia e partisë nuk do të mësojë emrat e kandidatëve në orën 12:00 të natës kur depozitohen në KQZ. Në pjesën më të madhe, emra do të vijnë nga lista që demokratët i kanë dërguar kryesisë dhe jo anasjelltas, emrat që kryesia cakton me detyrim pa i njohur askush. Sigurisht, asnjë proces nuk është përfekt dhe do të ketë qefjmbetjet e zakonshme në partitë shqiptare, por në krahasim me Partisë Socialiste, kryetari Basha po ndërton një model më të ndershëm ndaj kandidatëve dhe votuesve të PD-së.

Në fund të këtij, procesi askush nuk do të thotë se emrat dolën natën pas konsultimeve të 3-4 vetave në zyrën e kryetarit. Bashkë me përzgjedhjen e kandidatëve, PD ka dhënë dhe shenjat e para të një hapje të partisë ndaj figurave të saj që kanë qenë të distancuar, si dhe afrimin e personaliteteve të shoqërisë civile. Kjo strategji e partisë më të madhe në opozitë, së bashku me aleancën e madhe të domosdoshme të koalicionit opozitar përbëjnë frontin që do mposhtë rilindjen numerikisht dhe moralisht.

Përfundimi i punës nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore, tashmë i ka hapur rrugën zyrtarisht afrimit të zgjedhjeve dhe nisjes së fushatës elektorale. Miratimi i reformës është detyrë vetëm e PS dhe problemi me “opozitën” është hall i Ramës dhe duhet ta zgjidhë ai. Opozita ka detyrën që frymën anti-qeverisje ta përkthejë në votë duke nxjerrë kandidatët më të mirë dhe programin për ringittjen e Shqipërisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.