Opozita në inceneratorin e Tiranës: Janë marrë 35 mln euro, s’ka incenerim

0 134

Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët ka shkuar këtë të premte në landfillin e Sharrës për të parë nga afër punën që kryet në inceneratorin e Tiranës.

Kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku tha se as në Tiranë nuk është ngritur inceneratori, edhe pse për të është marrë leje që në vitin 2019.

“Sot arritëm në përfundimin që këtu nuk bëhet incenerim. Siç kemi marrë kontratën dhe raportin e KLSH, këtu mund të ketë çdo gjë, por procedura për të cilën është kryer kjo kontratë dhe që janë marrë 35 milionë euro, sot nuk po kryhen. Lejen e keni marrë në maj 2019, jemi në shkurt 2022. Drejtuesi teknik na shpjegoi që këtu kryhet një proces për mbetjet, por jo incenerim. Ajo që ndodhi në Fier, që nuk ka incenerator, nuk ka incenerator. Në Tiranë nuk ka incenerator”, tha Tabaku.

Ajo pyeti me ironi drejtuesin teknik nëse ishin në zonë Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, administratorë të kompanive që kanë fituar koncesionin, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar në lidhje me procedurat e inceneratorit të Elbasanit, për të cilat është arrestuar deri tani ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. “Erdhëm që erdhëm këtu, të kapim edhe ndonjë kriminel që është në kërkim ndërkombëtar”, tha Tabaku

Drejtuesi teknik shpjegoi: “Sipas afateve të punimeve, faza e ndërtimit është 6 vite, nga dhënia e lejes, që na është dhënë në dhjetor 2020”, tha ai, duke kundërshtuar deputetët demokratë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.