Paketa “e bujshme” anti-KÇK, 22 shoqata të shoqërisë civile dalin kundër nismës së Ramës

0 443

Ligji “Anti KÇK” pritet të jetë objekt i diskutimeve në Parlament, pasi qeveria do ta paraqisë draftin në Parlament. Nisma e shpallur nga kryeministri Edi Rama me shumë bujë më 24 nëntor pritet të formalizohet në formën e akti normativ dhe pritet që të miratohet me procedurë të përshpejtuar.
Por projektligji shihet si i nxituar nga 22 shoqata të shoqërisë civile, të cilët kanë reaguar për nismën e qeverisë, e cila parashikon t’i japë super kompetenca policisë në realizimin e përgjimeve, apo të kryerjes së veprimeve që shmangin prokurorinë.

Këto shoqata që kryesohen nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit sugjerojnë publikimin zyrtar të këtij projekti me qëllim që t’i krijohet mundësia të gjithë organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve të fushës të interesuar, por gjithashtu edhe grupeve të interesit për të shfaqur mendimet e tyre brenda afateve ligjore, para se ai të bëhet objekt shqyrtimi në procedurat parlamentare. Ndërsa shprehen se masa jashtëzakonshme parashikohen vetëm nga procesi i Vettingut për prokurorët e gjyqtarët.

“Organizatat e shoqërisë civile shqiptare i bëjnë thirrje Këshillit të Ministrave të reflektojë seriozisht që në paketën ligjore të propozuar të mos parashikohet asnjë masë tjetër tranzitore apo e jashtëzakonshme në këtë fazë të rëndësishme të zbatimit të reformës në drejtësi që cenon parimet për pavarësi të gjyqësorit, paanshmëri të trupës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve, disiplinim të tyre nga vetë organet e qeverisjes së drejtësisë (KLGJ dhe KLP) dhe vetëm me nismën e tyre (ILD) dhe jo me nismën e ekzekutivit. Çdo paketë ligjore që do të cenonte këto parime do të përbënte regres ndaj rezultateve të deritanishme të reformës në drejtësi dhe do të minonte pavarësinë dhe përgjegjshmërinë konform standardeve të gjyqësorit”, thuhet në reagimin e shoqatave.

Organizatat e shoqërisë civile e vlerësojnë realizimin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar nga strukturat e reja të drejtësisë që po ngrihen si SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kuadri kushtetues dhe ligjor për vettingun është hartuar nga ekspertë të drejtësisë të nominuar nga vetë institucionet e drejtësisë, ekspertë të misioneve ndërkombëtare të asistencës (EURALIUS dhe OPDAT), si dhe është konsultuar me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, dhe në mënyrë të veçantë me ekspertizën e Komisionit të Venecias.

“Kryesore është që kjo paketë ligjore, me të cilën ende nuk jemi njohur në formën zyrtare, të respektojë parimet kushtetuese dhe të drejtat e parashikuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Në këtë drejtim, dëshirojmë të sjellim në vëmendje nenin 17, paragrafi i dytë i Kushtetutës ku parashikohet se kufizimet e lirive dhe të drejtave të njeriut të parashikuara në Kushtetutë nuk mund të cenojnë thelbin e tyre dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në KEDNJ”, thuhet në këtë deklaratë.
Nisma e prezantuar nga qeveria është kontestuar edhe nga opozita, ku Partia Demoraktike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me anë të deklaratave e cilësuan si një përpjekje të qeverisë për të minuar organet e reja të drejtësisë si SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Organizatat nënshkruese:

Albanian Helsinki Committee (AHC)
Albanian Institute of Science (AIS)
Albanian Women Empowerment Network (AWEN)
Albanian Legal and Territorial Research Institute/Qendra A.L.T.R.I
BIRN Albania
Civil Rights Defenders (CRD)
Disutni Albania
Fondacioni “Qendra Europiane”
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
Instituti i Studimeve Politike (ISP)
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI)
Institute of Romani Culture in Albania (IRCA)
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
Qendra Psiko-Sociale “Vatra”
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ)
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSGD Albania)
Qendra “Treja”
Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania)
Shoqata “Qëndistarët”
Shoqata “Together for Roma Integration” (TIRC)
Të ndryshëm dhe të barabartë (Different & Equal)
Partners Albania for Change and Development

Burimi: Gazeta “Si”

Leave A Reply

Your email address will not be published.