Paradoksi i Skëndërbeut që duan neootomanet në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare

0 32

Nga: AGRON GJEKMARKAJ

Gjergj Kastriot Skënderbeu ka pasur gjithmonë armiq, në fillim sulltanët e mëdhenj e ushtritë e tyre të fuqishme, të cilat i mundi me zulme e madhështi. Ai ndërtoi shtetin e tij dhe modelin e qëndresës së një populli, i cili i del zot vetes dhe qytetërimit të tij. Na la kësisoj një spirancë në histori. Europa, dora-dorës, që te ne kujtesa e tij zbehej, po e shndërronte në hero qendror të civilizimit të vet.

Një ndihmë të madhe i dha kontinentit në këtë nevojë të vetën prifti shkodran Marin Barleti. Pas tij, kudo në botë, në nder të Gjergjit të madh, shkruheshin libra, romanca, drama, opera, diku 1800, si për asnjë personazh tjetër të luftës në fund të mesjetës dhe në agun e kohës së re. Shekujt si natë e gjatë kalonin dhe tek arbrit e tij harresa si kërdi po bënte të veten, kujtimi i Prijësit Mbret ishte mundues edhe për ata të paktë që dinin diçka për të. Metamorfoza ndodhi, armiqtë e Heroit po bëheshin vetë shqiptarët derisa Rilindja Kombëtare u end rreth figurës së tij, derisa De Rada e Naim Frashëri revokuan motin e madh për t’i shpëtuar ndëshkimit me vdekje e zhdukje ai komb.

U gjet flamuri i tij dhe kancelaritë na e rikthyen mitin e Skënderbeut si pikë e lidhje mes nesh e saj, si shtizë për ta valëvitur përsëri nga 1912 e këtej. Portreti i tij me beretën e kuqe veneciane e përcjell atë të hijshëm, plot sqimë e dukje; po kaq monumentet, kryesisht ai i Odise Paskalit që u bë edhe “Skënderbeu ynë”. Gjithaq, ai i Romës dhe Krujës, pse jo edhe i Parisit, Bostonit, Prishtinës e Shkupit!

Në Shqipëri, pas vitit 1990, por edhe në Kosovë, atdhemohuesit, neotomanët e mbetur kësaj e asaj ane filluan të gjuajnë mbi Heroin Kombëtar, e sulmonin si Gjergj e Skënderbe, si politikan e luftëtar, si paraqitje fizike e gjithçka tjetër u kalonte për rradaken e tyre me tanuz. Një herë i matnin pallën, herë tjetër shtatin, më pas helmetën e një ditë kalin, një natë u suleshin dokumenteve, një tjetër legjendave e miteve, një orë Europës që ia ruajti bëmat, një ditë shqiptarëve e rilindësve (të vërtetë) që i besuan oksidentit dhe bënë Shqipërinë e pavarur, duke u krenuar me luftën e dikurshme kundër otomanëve.

Ata që e bënin dhe bëjnë këtë punë janë robër e bij robërish. Por gjithçka derisa u shfaq monumenti i hukubetshëm në Prizren dukej si duhi marrëzie që do të kalonte. Shumica nuk besonte se do kishte kurajë dikush ta shëmtonte Skënderbeun tonë deri në atë gradë. Nëse kjo është vepër e padijes dhe injorancës profesionale, mund të konsiderohet një akt fatkeq, një aksident më shumë. Deri dje në darkë e mendoja kështu, por pasi dëgjova autorin në emisionin “Open”, u binda se ajo hata, ai dordolec si cjap që fyeshëm i bashkëngjitet emrit t Gjergj Kastriotit ishte me dashje ashtu, sipas arkivave osmane madje! Prizreni i Lidhjes Shqiptare nuk duhet ta mbajë atë shkërbe në mesin e vet, nuk mund ta mbajë atë me emrin e Skënderbeut!

Ai është monumenti që duan neootomanët, të gjithë ata që urrejnë Krujën dhe qëndresën e tij 25-vjeçare! Ajo përmendore gëzon të gjithë ata që u investuan për ta demitizuar e fyer gjithçka ai përfaqëson! Ajo shtatore bronzi, realizuar pa asnjë parim artistik, pa asnjë dije e kompetencë historike, ngjan të ketë dalë nga pena e ndonjë kronikani të ushtrisë turke që çdo përshkrim ndaj Gjergjit e fillonte me një mallkim dhe e mbyllte me një të tillë. Mund t’i pëlqejë ndonjë “turçeliu” të Prizrenit, i cili, teksa gjerb çaj në shaneshinin e tij i thotë së shoqes me zgërdhimje “a e pe Skënderbeun e shqiptarëve se çfarë ibreti ishte?”. Fort i gëzuar do jetë edhe ndonjë shovinist serb tek e sheh atë zgaq të përbuzshëm, që padrejtësisht u përurua si Skënderbeu!

I nderuar kryetar i Komunës, ju thatë se do ngrini një komision?! Bjerrje kohe! Shko vetëm aty, rri nja dhjetë minuta tu e këqyr e do të pështjellohet stomaku nga ajo shëmti! Thjesht hiqe e jepja autorit ta vendosë në kopshtin e tij që t’i ruajë pulat! Nëse nuk e bëni ju qytetarët e Prizrenit, këtij qyteti vatër e reagimeve për të mbrojtur identitetin kombëtar, një ditë do ta bëjnë me mjete rrethanore. Por institucionet duhet t’ua kursejnë atyre këtë mundim. Duke bërë këtë, nuk i ktheni Skënderbeut dinjitetin, por nderin qytetit se lavdia e Skënderbeut s’ka nevojë kurrë më për asgjë, e jona ka gjithmonë për të!

Leave A Reply

Your email address will not be published.