Pasuria e familjeve në SHBA zvogëlohet për herë të parë në 2 vite

0 30

Pasuria e familjeve amerikane është zvogëluar për herë të parë në dy vite gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, pasi rënia e ҫmimeve në bursë mposhti rritjen e vazhdueshme të vlerës së pronave, sipas një raporti të Rezervës Federale që u publikua të enjten.

Pasuria neto e familjeve u zvogëlua në 149.3 trilion dollarë, nga një rekord prej 149.8 trilionë dollarësh që kishte arritur në fund të vitit të kaluar, sipas raportit tremujor të bilancit kombëtar nga Fed.

Kjo erdhi si pasojë e rënies prej 3 trilion dollarësh në vlerën e aksioneve të korporatave, e cila u përkeqësua në tremujorin aktual, ndërsa vlerat e pasurive të paluajtshme u rritën me 1.7 trilion dollarë.

Ky zvogëlim i pasurisë së familjeve amerikane është i pari që nga tremujori i parë i vitit 2020, kur fillimi i pandemisë së koronavirusit tronditi tregjet financiare dhe shkaktoi një recesion të shkurtër, por të thellë.

Megjithatë, raporti tregoi se bilancet e familjeve në përgjithësi mbetën të shëndetshme gjatë tre muajve të parë të vitit – rreth 32.5 trilion dollarë mbi nivelet ku ndodhesin përpara pandemisë – dhe, me sa duket, kjo ka gjasa që të vazhdojë të mbështesë shpenzimet e konsumatorëve në kushtet e inflacionit të lartë.

Bilancet e llogarive bankare patën rritje, me depozitat afatshkurtra dhe valutën që u rritën me rreth 210 miliardë dollarë, duke shkuar në 4.47 trilion dollarë, ndërsa depozitat me afat dhe depozitat e kursimeve u rritën me rreth 90 miliardë dollarë, duke shkuar në 11.28 trilion dollarë.

Kjo sasi e shtuar e parave mund të ndihmojë në ruajtjen e shpenzimeve të konsumatorëve, edhe pse Fed synon të zvogëlojë kërkesën dhe të reduktojë rritjen e çmimeve.

Mbetet ende e paqartë nëse efekti neto i kësaj rënieje do të ngadalësojë rritjen ekonomike pasi Fed të rrisë normat e interesit, apo nëse kjo do të zbusë ndikimin e kostove më të larta të huamarrjes aq shumë saqë banka qendrore do ta shohë të nevojshme që të rrisë normat e interesit më shumë dhe më shpejtë, duke shkaktuar kështu një recesion.

Deri më tani, zhvendosja e shumëpritur e konsumatorëve nga blerja e mallrave drejt blerjes së më shumë shërbimeve duket se thjesht ka shtyrë presionet e inflacionit drejt shërbimeve, në vend që të reduktonte presionet e çmimeve në përgjithësi.

Stoqet kanë vazhduar të dobësohen në tremujorin e dytë për shkak të shqetësimeve për një rritje të inflacionit në nivelet më të larta të 40 viteve dhe për reagimin agresiv që Fed mund të ndërmarrë ndaj tij, duke bllokuar kështu të gjithë ekonominë. Kjo rënie tregon se pasuria e amerikanëve ka të ngjarë të ketë marrë një goditje tjetër që nga fillimi i prillit e në vazhdim./ Reuters-MONITOR

Leave A Reply

Your email address will not be published.