Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës, 13 vjet sa një shekull

0 419

Nga Prof. Lisen BASHKURTI

Sot trembëdhjetë vjet më parë Kosova shpalli pavarësinë e saj. Kjo ngjarje madhore në historinë e Kosovës dhe të mbarë Kombit Shqiptar erdhi mbas një historie të gjatë tragjike nën sundimin e përgjakshëm Serb. Së paku nga viti 1913, kohë kur Kosova ngeli jashtë kufijve politik të Shqipërisë, historia e saj filloi të shkruhej vetëm me gjak. Fillimisht në procesin e nacertanizimit të saj e më pas të procesit të Cubrilovit, Ivo Andricit, Aleksandër Rankovicit, Josip Broz Titos e më tutje të Slobodan Milloshevicit, Kosova kaloi nëpër kalvarin e nacionalistëve shovenë të Beogradit, të dhunshëm e brutalë, që aplikuan pa kurrfarë mëshire diskriminimin, shtypjen, represionin, krimin, genocidin e në mënyrë një shekullore pastrimin etnik të saj.

Për një shekull populli i Kosovës u përzhit nga ferri Serb. Për një qind vjet rrjesht trualli i Kosovës u djerrua nga satanaja e Beogradit. Për vite të tëra në malet e lëndinat e martires Dardani u mbollën me varre, varre dhe vetëm varre. Për dhjetë dekada vatrat e Kosovës humbën burrat përreth, djepet zbrazën foshnjet e tyre, sofrat ngelën shterpë. Kjo masakër obskurantiste ndodhte në zemër të Evropës së antikitetit të ndritur, humanizmit, iluminizmit, revolucionit industrial, demokracisë liberale dhe përparimit e prosperitetit të pandalshëm.

Askush, as nga Lindja dhe as nga Perëndimit nuk i dëgjoi klithmat e Kosovës, nuk i pau stërkalat e përgjakura të saj, nuk i ndjeu gulcimat e nëntokës varrosëse, nuk u trazua që në oborrin qëndror të Evropës së lulëzuar po kundërmonte një kufomë e gjallë. Tam-tamet e tamburet e Jugosllavisë së ‘bashkim vëllazërimit’ mbulonin klithmat shqiptare të Kosovës përgjatë shekullit të njëzetë. Propoganda e Jugosllavisë së Pangazhuar midis Lindjes e Perëndimit ngjante me dremisje midis Evropës së shqyer nga Lufta e Ftohtë. Neutraliteti i Jugosllavisë Titiste lakmohej nga palët si një zgjidhje ideale përmes dy anëve të konfrontimit dypolar. Kosova ishte sakrifica e Luftës së Ftohtë, ishte urrejtja e ‘bashkim vëllazërimit’, ishte viktima e pangazhimit, ishte tragjedia e neutralitetit.

Nyja e Kosovës u zbërthye vetëm kur ra me ofshamë Muri i Berlinit, kur u shkërrmoq Perandoria e Sovjetksit Sajuz, kur Perdja e Hekurt nga Varshava në Beograd u ushqye nga vërshimi i popujve të shtypur nga diktaturat e brëndshme dhe nga ‘Sovraniteti i Kufizuar’ Rus, kur gllaznosti dhe perestrojka së bashku pollën doktrinën e Katovicës, kur qefini i ‘bashkim-vëllazërimit’ i Jugosllavisë u shpërthiq me gjithë kundërmimin ndjella-vdekës që kutërboi mbarë Evropën. Kosova ishte e para që paralajmëroi shpërbërjen ogurzezë të Jugosllavisë, që pak kush e dëgjoi. Kosova ishte e fundit që shpëtoi nga kjo rropamë fobishë shfarorësese, kur mbarë bota e kuptoi.

Pavarësia e Kosovës erdhi kur edhe të verbërit shikuan, edhe të shurdhërit dëgjuan, edhe panuhatësit e ndjenë erën e ndryshimit të madh. U desh përgjakja e sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, u nevojit hakërrimi mbi vojvodët e malazezët, u kërkua lugunija shtazarake millosheviciane mbi popullin civil e të pambrojtur të Kosovës – që të zgjohej ndërgjegja e qytetërimit botëror, të shkëlqente iluminimi i liberal-demokracisë, të godiste forca e ndërhyrjes humanitare për ti thënë ‘boll’ makinerisë ndjellakeqe të urrejtjes, frikës dhe armiqësisë. U desh ringritja e vlerave botërore mbi pacavrat e mashtrimit e propogandës. U nevojit rilindja e parimeve e normave më të vyera të krijuara nga njerëzimi ndër shekuj e kaluar për të ndërtuar shekujt që vijnë.

Foshnja Kosovë lindi në kapërcyejt e shekujve. Kosova ndau te keqen e shekujve. Kosova lidhi të mirën e mileniumeve. Kosova i dha fund rendit të vjetër. Kosova u bë këmbana e rendit të ri. Edhe sot, mbas trembëdhjetë viteve pavarësi Kosova vijon të mbetet e tillë. Një vënd që ndanë epokat. Një popull që lidhë kohërat. Një rast që mbetet unik. Një model sesi nuk duhet sjellur me një popull. Një histori sesi duhet shpëtuar një popull. Një shëmbull sesi mund të ndërtohet e ardhmja.

Për trembëdhjetë vjet Kosova ka ecur sa për një shekull. Ka lënë pas urrejtjen, frikën dhe armiqësinë. Ka ndërtuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin brënda saj dhe në Rajon. Ka ndërtuar shtetin e saj të pavarur, sovran me integritet të pacënuar territorial. Ka hedhur bazat e demokracisë liberale në themelet e shtetit të saj. Ka përvijuar ndarjen e balancimin e pushteteve. Ka avancuar në shtetin e së drejtës. Ka garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Ka ngritur sistemin e tregut të lirë. Ka përvijuar përparimin në staturën e saj në familjen e subjekteve të sistemit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Asnjë histori shteti nuk ka përparuar kaq shpejtë sa rasti i Kosovës. Asnjë model nuk ka qënë më i arrirë se Kosova në bashkëpunimin midis faktorëve lokale dhe aleatëve ndërkombëtarë si ShBA dhe BE. Asnjë projekt nuk është ngjizur më mirë se në Kosovë nga Prishtina-Uashingtoni-Brukseli së bashku. Askund më shumë se në Kosovë nuk është parë më mirë pesha e unitetit politik Euro-Atlantik. Asnjëherë nuk ka ndritur më shumë se në Kosovë humaniteti dhe solidariteti i botës së qytetëruar.

Për gjitha këto, asnjë popull nuk është më mirënjohës sesa populli i Kosovës për ShBA dhe Evropën. Askush më shumë sesa populli i Kosovës nuk është më besnik dhe më i qëndrueshëm në miqësinë strategjike me ShBA dhe Evropën. Asnjë vënd dhe asnjë popull nuk është i gatshëm deri në flijim për ruajtjen e përjetshme të miqësisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është mënyra sesi u lind Kosova e lirë dhe e pavarur. Kjo është mënyra sesi ajo do jetojë përjetë. E gëzofsh pavarësinë e merituar Kosova jonë e shtrenjtë!

Leave A Reply

Your email address will not be published.