Plagosja në Kombinat/ Efektivi i FNSH dhe qytetari ishin në një tavolinë

0 26

Dy ngjarje të rënda ndodhën mbrëmjen e së hënës, ku dy punonjës të policisë u përfshinë në dy ngjarje të ndryshme kriminale. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur ne komisariatin numër 3, ku efektivi 25-vjeçar, Ludjan Zaimi qëlloi me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, dhe për ngjarjen e ndodhur në Kombinat ku një efektiv i FNSH në gjendje të dehur ka qëlluar me armën e shërbimit një qytetar.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore lidhur me plagosjen në Kombinat bën me dije se efektivi i FNSH Lutfi Gjyli ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në një lokal dhe ka qenë i ulur në një tavolinë me 64-vjeçarin Murteza Lika, në momentin që ndodhi ngjarja.

Si pasojë e plagosjes, 64-vjeçari ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

“Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka referuar materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë Inspektor Lutfi Gjyli 48 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Repartin e FNSH në Vaqarr, Tiranë.

Arrestimi i tij u krye pasi më datë 23.05.2022, në Sallën e Komandimit është njoftuar për të shtëna me armë në një Bar Kafe në rrugën “Llazi Miho”. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe veprimeve të para hetimore ka rezultuar se polici Lutfi Gjyli ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në një lokal dhe në gjendje të dehur ka përdorur armën e tij të shërbimit duke qëlluar në drejtim të 64-vjeçarit Murteza Lika në kohën që ishte i ulur në të njëjtën tavolinë me të.

Si pasojë, 64-vjeçari ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Lutfi Gjyli u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.Punonjësit e policisë të identifikuar si autorë të dyshuar të ngjarjeve të mësipërme, pas arrestimit të tyre në kushtet e flagrancës, aktualisht ndodhen në dhomat e sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”, njofton AMP.

Leave A Reply

Your email address will not be published.