Policia belge aksion kundër mafies shqiptare, arrestohen 30 shqiptarë në Belgjikë

0 189

Policia gjyqësore federale e Brukselit ka kryer bastisje banesash në vende të ndryshme të Belgjikës mëngjesin e së martës, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar.

Mediat belge raportojnë se objektiv i tyre ishte mafia shqiptare dhe tregtia e tyre ndërkombëtare e drogës dhe e armëve. Të paktën 30 persona janë arrestuar gjatë kontrolleve në Belgjikë. Lajmi është bërë i ditur nga prokuroria federale në Bruksel. Ndërsa raportohet se janë kryer më shumë se 100 kërkime në 7 vende të tjera evropiane, këtë të martën.

Aksioni ka nisur ditën e martë, rreth orës 4 të mëngjesit, ku qindra oficerë policie janë mbledhur në ndërtesën e policisë federale në Bruksel, shkruajnë mediat belge.

Operacioni policor ka për qëllim goditjen e tregtisë së drogës dhe armëve të mafies shqiptare.

Rreth 30 kontrolle shtëpish janë kryer në Bruksel, në Antwerp dhe Sint-Niklaas. Në total janë arrestuar 30 persona dhe u sekuestruan armë, kokainë, para, ora luksoze, diamante dhe automjete.

Në të njëjtën kohë, aksione policore u zhvilluan edhe në disa vende të tjera evropiane. Dhjetëra persona u arrestuan gjatë rreth gjashtëdhjetë kontrolleve të shtëpive në Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci dhe Holandë.

Nuk është hera e parë që mafia shqiptare goditet nga autoritetet belge, raportojnë mediat atje.

Leave A Reply

Your email address will not be published.