Policia e Turit dhe policia e Trurit!

0 32

Nga: Artan Fuga

Gabimet e pyetjes 12 të tezës të maturës
——————————————-

12. Cila fjali është teza e këtij paragrafi? 1 pikë

Megjithëse më pëlqen të shkruaj, zakonisht krijoj vetëm histori të shkurtra. Për mua, historitë e shkurtra janë më të lehta për t’u shkruar sesa shkrimi i një romani. Të shkruaja një roman, do të ishte me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme. Një libër i tillë kërkon shumë imagjinatë, përqendrim dhe përkushtim. Ndonjëherë çuditem se si disa njerëz ia dalin ta shkruajnë.

A) Megjithëse më pëlqen të shkruaj, zakonisht krijoj vetëm histori të shkurtra.
B) Për mua, historitë e shkurtra janë më të lehta për t’u shkruar sesa shkrimi i një romani.
C) Një libër i tillë kërkon shumë imagjinatë, përqendrim dhe përkushtim.
D) Të shkruaja një roman, do të ishte me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme

Pyetje e 12 kërkon që maturanti të gjejë se cila është teza e paragrafit që paraqitet.

Edhe njëherë nga analiza e hollësishme e atij paragrafi na del e qartë se maturantët janë vendosur në një situatë ku nuk mund ta gjejnë përgjgjen e saktë. Gjithesesi, kjo përgjigje e saktë nuk është ajo që kanë konsideruar testbërësit dhe ka quajtur të saktë Ministria e arsimit. Si përgjigje të saktë shteti shqiptar quan përgjigjen D :” Tê shkruaj një roman do të ishte një arritje e e jashtëzakonshme!”. Fatkeqësisht përsëri maturantët janë vendosur në pozicionin absurd ku ai që gabon konsiderohet se ka dhënë përgijgje të saktë dhe ai që ka dhënë përgjigje të saktë i hiqet pika sepse konsiderohet sikur ka gabuar.

Gjithçka është kthyer mbrapsht. Me këmbëpërpjetë.

Ja përse:

Po të shihnim qoftë dhe fjalorin zyrtar të gjuhës shqipe, se për fjalorë të tjerë të specializuar nuk po pretendojmë, do të konstatonin se termi “tezë” do të thotë pak a shumë një ide qendrore që organizon një tekst të caktuar. Pra ose fjalitë e tjera janë argumenta për të shkuar te teza qendrore, ose teza qendrore i përfshin brenda saj si nën-ide fjalitë ose pohimet e tjera që ndërtojnë përmbajtjen konceptuale të tekstit.

Duke hequr paraprakisht alternativat e tjera, diskutimi serioz mund të bëhet mes dy alternativash përgjigjeje :

B) Për mua, historitë e shkurtra janë më të lehta për t’u shkruar sesa shkrimi i një romani.

D) Të shkruaja një roman, do të ishte me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme

Pse përgjigja “D” konsiderohet një tezë dhe jo përgjigja “B”?

A është fjalia B një argument për të mbërritur te fjalia D?

Aspak.

Të shkruash histori të shkurtra nuk do të thotë aspak që prej këtej të të lindi dëshira për të shkruar një roman, sepse ky i fundit na kërkoka më shumë imagjinatë ta zemë sesa një tregim. Kushdo që e njeh sadopak letërsinë e di që kjo ndarje është thjesht një budallallik. Nuk përjashtohet që një tregim kërkon dhe mund të kërkojë një përqendrim dhe fantazi shumë më të madhe edhe sesa një roman. Kjo nuk varet vetëm nga gjinia e krijimit letrar. Por, e lemë mënjanë këtë lajthitje që po e quajmë qendrim subjektiv të dikujt dhe jo imponim i një të vërtete normative estetike.

Të shkruash trregime të shkurtra nuk është argument që të të lindi dëshira për të shkruar romane. As teksti nuk e nënkupton këtë. Pra, fjalia B nuk është as argument as shkak për të legjitimuar fjalinë D që quajnë tezë. A është fjalia D, e ashtuquajtura tezë, ideja kryesore e tekstit që na paraqitet?

Aspak.

Autori i tekstit ka shkruar dy ide të ndryshme që as e përjashtojnë në mendjen e tij njera tjetrën, dhe as çojnë medomos sipas tij te njera te tjetra: Unë shkruaj histori të shkurtra. Unë po të shkruaja një roman do të ishte një arritje e jashtëzakonishme. Dy teza që nuk mund të thuhet se njera i mbivendoset tjetrës! “Do të ishte” nuk do të thotë se do t’i le historitë e shkurtra dhe do të shkruaj një roman! Kushdo që ka logjikë sa e pulës, që di shqip, që njeh logjikën e arsyetimit greko-romak dhe latin, evropiano-perëndimor ku mbështetet shqipja jonë monumentale, nga fjalia e parë nuk kalon atomatikisht te fjalia e dytë.

Do të ishte një gjuhë e drunjtë, një logjikë që pret trashë trungje linguistike. Nuk është finesa e shqipes që ne duam të artikulojmë te rinia! Por rinia ka mbetur në dorën e Turit! Unë shkruaj histori të shkurtra, do të ishte arritje e jashtëzakonshme të shkruaja roman, por… po vazhdoj të shkruaj histori të shkurtra – do të përfundonte autori i tekstit.

Pra fjalia D nuk shërben si tezë për atë tekst sepse ai tekst është i ndërtuar së paku nga dy teza, teza që “shkruaj e do të shkruaj histori të shkurtra” dhe teza e dytë se “do të ishte e jashtëzakonshme të shkruaja romane”! Eshtë tipik skizofren ky qendrim në kuptimin që autori lëkundet mes dy tezave të ndryshme, mes realitetit dhe dëshirës, dy qendrime që me dozat e lehta të skizofrenisë, sikurse thoshte Frojdi, jo Klauzeviçi, karakterizojnë çdo njeri të zakonshëm!

Se këta injorantët doza e lehta të skizofrenisë, që kanë edhe vetë, por nuk i kuptojnë, i quajnë si sharëse! Prandaj testbërësit me përgjigjen që kanë konsideruar të drejtë dashur pa dashur kanë dhunuar maturantët. U kanë dhënë pikë atyre që kanë gabuar. Kanë penalizuar të shkëlqyerit. Në një farë mënyre kanë ushtruar rolin e policisë të trurit sikurse do të thoshte filozofi i njohur Andre Gluksman, ose sikundër shprehej filozofi Mishel Fuko.

Cfarë domethënë polici e trurit? Polici e trurit, pra policia e Turit, Turit skizofren, realizohet me anë të propagandës, por jo vetëm. Nuk është si policia e trupit që vendos diktatin me gazlotësjellës, me shkopa, shqelma apo me eskavatorë kundër objekteve kulturore të kombit shqiptar, por policia e trurit ushtrohet me anë të notës, me anë të zgjedhjes të profilit të studimeve universitare, etj. Kanë vazhdimësi sigurisht. Jep përgjigjen e gabuar ose të vemë 4! Jep përgjigjen pa menduar për pyetjen idiote të shtruar gabim sepse përndryshe harroje shkollën e lartë! Kritikon Ministrinë e arsimit? Je i çmendur, të fusim në çmendinë dhe të vendosim këmishën e forcës!

A ka maturant që pajtohet me këtë?
A ka prind që pajtohet me këtë?
A ka intelektual a pedagog që pajtohet me këtë?
Me çfarë pra?
Me policinë e Trurit! Si vazhdim i policisë të Trupit!
Me policinë e Tur qesharakut!

Leave A Reply

Your email address will not be published.