Presidenti i KE: Së shpejti do të ketë zhvillime pozitive për Ballkanin Perëndimor

0 15

Në Forumin e Prespës për Dialog kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se javën e ardhshme priten zhvillime pozitive sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Në Forumin e Prespës për Dialog me temë “Ndërtimi i ardhmërisë në Ballkanin Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore të sigurisë” po trajtohen çështjet më urgjente të sigurisë politike dhe ekonomike me të cilat përballet sot Evropa dhe Ballkani Perëndimor, me fokus të veçantë në implikimet e luftës së Ukrainës në situatën e përgjithshme ndërkombëtare, politike, atë të sigurisë, mundësitë ekonomike në Evropë dhe më gjerë.

Sipas autoriteteve në Shkup Forumi i Prespës për Dialog paraqet një platformë për t’i mbrojtur, promovuar dhe kanalizuar përfitimet e marrëveshjeve politike.

Konfirmim në hartën e bashkësisë ndërkombëtare

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani tha në “Prespa Forum Dialogue” se “me organizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme Maqedonia e Veriut e ka konfirmuar vendin e saj në hartën e bashkësisë ndërkombëtare si partner serioz prej nga dalin iniciativa pozitive dhe njëherë arriti që të tregohet si aleate domethënëse veçanërisht kur bëhet fjalë për kontributin në raportet ndërkombëtare”.

Në Forumin e Prespës marrin pjesë Kryetarit i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti slloven Borut Pahor, ai kroat Zoran Milanoviç si dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varhelyi.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE çështje me prioritet të lartë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në takimin me kryetarin e Këshillit Evropian Charles Michel ka biseduar mbi sfidat gjeopolitike që solli agresioni rus në Ukrainë dhe për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Maqedonia e Veriut tërësisht i plotësoi kushtet për fillimin e bisedimeve me BE-në dhe në bazë të së cilës është miratuar edhe rekomandimi për fillim pa kushte të hapjes së kapitujve në mars të vitit 2020”, ka thënë Kovaçevski.

Michel: Së shpejti do të ketë zhvillime pozitive

Kryetari i këshillit Evropian Charles Michel tha në Ohër se javën e ardhshme priten zhvillime pozitive sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “BE-ja është e fort e përkushtuar që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Po i bëjmë të gjitha përpjekjet që të gjendet një zgjidhje e përbashkët e pranueshme për të dyja palët për çështjet e hapura me palën bullgare. Unë jam i kyçur në këtë bashkë me Francën dhe BE-në dhe dëshirojmë të ndihmojmë këtë proces që të ecë përpara. Jam i bindur se së shpejti do të ketë një zhvillim shumë pozitiv, që do të jetë shumë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe mbarë rajonin”, deklaroi Charles Michel.

Pendarovski: Ne nuk e kemi parë propozimin francez

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha pas takimit me Charles Michel se deri tani në vend nuk ka arritur asnjë propozim francez për zgjidhjen e kontestit me Sofjen. Pendarovski nuk dëshiron të komentojë zhvillimet në skenën politike në Bullgari, sepse, siç tha ai, është çështje e brendshme e Sofjes. “Ne në Shkup nuk kemi parë ndonjë propozim francez. Ne jemi duke biseduar me kolegët tanë bullgarë dhe për këto bisedime jemi njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Nuk kam ndërmend të komentoj se çfarë po ndodh në Sofje, është dinamika e brendshme politike e tyre. Ne jemi duke biseduar me kolegët tanë bullgarë në kuadër të dialogut që kemi pasur me muaj të tërë”, tha Presidenti Pendarovski./DW/

Leave A Reply

Your email address will not be published.