Presidenti i Republikës dhe sporti

0 475

Nga Moisi Dalipi

Fitorja e ekipit tonë kombëtar me rezultatin 3-2 ndaj Bjellrusisë në përballjen përmbyllëse të grupit C-4 të Ligës Kombeve, ka ardhur në një moment shumë të kërkuar nga opinioni ynë sportiv. Në fakt, ndër të tjera kjo fitore ka bërë që Shqipëria të realizojë një objektiv të vendosur si detyrë për t’u bërë realitet, që ditën që u hodh shorti për këtë edicion të dytë të Ligës Kombeve.

Skuadra jonë kuqezi tani e shikon veten në çerekfinale të këtij eventi europian dhe tani do jetë në një nivel më të lartë, në Ligën B për edicionin e tretë, por dhe do të ketë një përfitim monetar shtesë për shumën 1,125 milionë euro. Por më shumë se çdo gjë tjetër, duket se Shqipëria po përfiton një skuadër të re me plot prespektivë dhe performancë që ndoshta do të synojë të përsërisë atë vit suksesi të vitit 2016, kur skuadra jonë kuqezi ishte për herë të parë në historinë e saj pjesë e finaleve të një Kampionati Europian, siç ishte ai i Francë -2016.

Kështu pra, kjo fitore dhe ky kualifikim është pritur dhe përshëndetur mirë nga opinioni ynë sportiv dhe ai mbarë kombëtar. Por jashtë këtij realiteti dhe mjedisi nuk mund të qëndronte dhe Presidenti Republikës, zoti Ilir Meta. Si dhe herë të tjera, edhe në këtë ndeshje, ekipit tonë kombëtar, nuk mund t’i mungonte “kryetifozi” Ilir Meta. Edhe pse pjesën e parë të kësaj ndeshje për arsye pune nuk mundi ta ndiqte në stadium, zoti President, kish arritur të mësonte rezultatin e saj që ishte mbyllur me rezultatin 3-1 për skuadrën tonë kuqezi. Dhe për më tepër akoma, që golat për skuadrën tonë mbanin autorësinë e Sokol Çikalleshit, me atë dy golësh plot rrezatim në minutat 20` dhe minutën 27`, dhe të Rej Manaj në minutën e 44`.

Për miqtë bjellarusë,(rusët e bardhë), ka shkurtuar difrencën me golin e shënuar në këtë pjesë loje, Skavish në minutën e 35`. Dhe në hyrje të stadiumit zoti President është shprehur: “Është kënaqësi të jem pranë kuqezinjëve. Çikalleshi më premtoi një gol dje në telefon, ka bërë dy deri tani,të mos gaboj. Uroj ta mbyllim me fitore”. Dhe në dhe në fakt, kjo ndeshje është mbyllur me fitoren 3-2 të skuadrës tonë kuqezi, të cilët me një angazhim kolektiv adminstruan mirë avantazhin e pjesës pare, edhe pse miqtë shënuan golin e dytë në minutën e 80` me anë të Ebong. Gjithsesi, përfundimi ndeshjes regjistroi shifrat 3-2 të fitores të shqiponjave kuqezi.

Dhe pas ndeshjes, Presidenti Meta, nuk harroi të takonte atë që ishte dhe personazhi kryesor i kësaj ndeshje, sulmuesin kavajas, Sokol Çikalleshin. Dygolëshi tij i shënuar në këtë ndeshje, jo vetëm që i dha siguri fitores të skuadrës tonë, por bëri që ky sulmues “race” në 37 ndeshjet që ka djersitur atë fanellë të ekipit tonë kombëtar,të ketë shënuar plotë 10 gola. Dhe top lista e golëshnuesëve të ekipit tonë kombëtar, e vendos djaloshin elegant Çikalleshi në vendin e 8 të renditjen e saj, pas Erion Bogdanit me 18 gola të shënuar, Alban Bushit me 14 gola, Ervin Skelës me 13 gola, Armando Sadikut me 12 gola, Altin Rraklli me 11 gola, Hamdi Salihi me 11 gola dhe Sokol Kushta 10 gola. Por vetë mosha 29 -vjeçare e këtij sulmuesi potent, që këtë sezon është pjesë e ekipit turk të ‘Konyaspor’ që me ekipin kombëtar në 8 ndeshjet e fundit të tij, ka shënuar plot 8 gola, por dhe fakti tjetër, që janë 4 gola të realizuar nga ana e tij në 6 ndeshjet e Shqipërisë për Ligën e Kombeve, të bën të besosh se ai ka ende vite karriere përpara, që mund ta ngjisin edhe më lart, dhe në një vend më të mirë në top-listën e golshënuesëve kuqezi.

Të gjitha këto, por dhe fakti që Çikalleshi kishte bërë një premtim një ditë përpara ndeshjes se “ do të shënonte një gol për këtë ndeshje”, kanë bërë që Presidenti Meta, të shkojë ta takojë pas ndeshjes këtë futbollist që premtimet i bën realitet në fushën e lojës. Dhe pas ndeshjes takimi tyre është shumë i lirshëm dhe miqësor, ku Presidenti mësohet se është shprehur me elozhe në formë batutue kur thotë: “Çikalleshi është i paparë -premton një, dhe bën dy! Urime kuqezinjëve tanë! Shqipëria e para! Urime kuqezinjëve për shpirtin luftarak!” Kushdo që e kujton këtë moment që ndodhi vetëm dy ditë më parë, diku në ambientet e stadiumit “Air-Albania”, pas asaj ndeshje të sukseshme dhe pse jo historike për nga rëndësia, shumë mirë mund të mendojë se midis Presidentit Ilir Meta dhe sportit, ka lidhje të ngushtë, ndoshta dhe të vjetër, që përsëritet sa herë që ka ndodhi e evente të tilla sportive.

Dhe ndodh kështu sepse të tillë e kemi parë Presidentin Meta edhe në ndeshjet e tjera të ekipit tonë kombëtar, por edhe në ndeshjet finale të Kupës Shqipërisë, dhe kur “Tirana” shpallej kampione në 100- vjetorin e krijimit të saj, si edhe kur “Dardanët” e Kosovës fitonin me rezultatin 2-1 kundër Çekisë, në stadiumin “Fadil Vokri” të Prishtinës, më 7 shtator 2019. Por jashtë kësaj vëmendje nuk mund të mbeten dhe shumë e shumë takime zyrtare dhe jo zyrtare me njerëzit e sportit. Edhe pse vetë zoti Meta e ka pranuar që është një tifoz i thekur i skuadrës skoceze të ‘Salltikut’,(që kur tek kjo skuadër aktivizohej Rudi Vata), përsëri në planin e futbollit ndërkombëtar, mbetet dashamirës i futbollit të bukur, ashtu sikundër simpatizon dhe mbështet rezultatet dhe sukseset e të gjitha llojeve të sportit vendas.

Një arsye më shumë kjo për të besuar se gjatë mandatit të Tij, janë vlerësuar me çmime dhe medalje të ndryshme rreth 110 sportistë dhe njerëz të sportit. Dhe në këtë rast nuk është e tepërt të thuhet dhe fakti se ditën e mërkurë, pak kohë përpara se të fillonte ndeshja Shqipëri-Bjellorusi, në Presidencë është zhvilluar ceremonia e e dekorimit me Titullin “Mjeshtëri Madh” të boksierit dhe trajnerit të shquar të Klubit “Tiranës” dhe ekipit tonë kombëtar, Skënder Kuri, të ndarë nga jeta pak kohë më parë nga Covid-19. Nga burime mësohet se janë në proces për t’u vlerësuar shumë shpejt dhe shumë figura të tjera sportive. Dhe këto vlerësime kanë qenë në futboll, mundje, boks, qitje, atletikë, çiklizëm, basketboll, volejboll, not, dhe lloje të tjera sporti, që kanë prekur thuajse çdo qytet dhe klub sportiv të vendit tonë.

Të veçanta kanë qenë vlerësimet dhe dekorimet “Për Ditën Ndërkombëtare të Shtypit Sportiv” për katër gazetarët e njohur Ismet Bellova, Besnik Dizdari, Vladimit Grillo, dhe Ahmet Shqarri. Po kështu, emocionuese kanë qenë ceremonitë e vlerësimit në SHBA, për dy figura të futbollit tone, Koço Dinella dhe Frederik Gjinali, pjesë e ekipit tonë kombëtar në ndeshjen e 17 dhjetorit 1967 të zhvilluar në Tiranë, ku mes një dramaciteti të jashtëzokshëm është fisksuar rezultati Shqipëri 0-0 RFGJ. Pra janë këto detaje që tregojnë qartë se Presidenti Meta e vlerëson sportin dhe njerëzit e sportit si vlera kombëtare. Gjithsesi, ajo që e bën zotin Meta të afrohet më shumë me sportin, është dhe kaluara e tij në vitet e rinisë, kur ai e ka ushtruar sportin dhe i ka shërbyer sportit. Trajneri i njohur i peshëngritjes, Ferid Berberi tregon: “Në vitet 1987, kur jepja mësim në lëndën “Dituri të makinave”, në shkollën “Sami Frashëri” këtu në kryeqytet, kam bërë pjesë të ekipit të të rinjve të peshëngritjes të “Dinamos”, zotin President. Ka qëndruar në skuadër për dy vjet dhe ka garuar në peshën 75 kg ku ka dalë dhe kampion për të rinj. Ai së bashku me Agron Haxhihysenin, Muharrem Berishën, Ardjan Kokonozin dhe e Eduart Sinën, ishin shumë cilësorë. Por më vonë disa u larguan, sepse vazhduan studimet në shkollat e larta”. Por Fatmir Dizdari ish -kordinatori emisionit sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën”’në Radio-Tirana, sjell dhe këtë fakt,-“Në vitet 1988 -1990 pjesë e radiokronistëve sportivë të emisionit tonë sportiv ka qenë dhe Presidenti, zoti, Ilir Meta. Mbaj mend mire, ka transmetuar ndeshje nga Kuçova, Lushnja, Berati, por dhe në stadiumet e kryeqytetit”. Dhe të gjitha këto detaje dhe fakte, pa asnjë dyshim i japin Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta, një të drejtë më shumë se homologët e vet në të kaluarën, për të qenë më afër dhe më vlerësues për sportin dhe njerëzit e sportit.

Burimi: Telegraf.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.