Presidenti Meta jep pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit për eurobondin

0 32

Presidenti Ilir Meta ka dhënë pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit për eurobondin. Vendimi vjen pas sqarimeve që Parlamenti ka dërguar në adresë të presidentit lidhur me problematikën që mbarte ky ligj.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PRESIDENTI

Nr. 1732/3 Prot. Tiranë, më 04.06.2020

Lënda: Mbi kërkesën e përsëritur për dhënien e pëlqimit për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit

KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRIS, GRAMOZ RUÇI, KRYETAR

TIRANË

I nderuar z. Ruçi,

Në vijim të korrespondencës shkresore të nisur pas kërkesës suaj me nr. 1382/2 prot., datë 01.06.2020, administruar pranë Institucionit të Presidentit të Republikës me nr. prot. 1732, datë 1.6.2020, jam njohur më kërkesën e Kuvendit për dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit “Për eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen”, të parashikuar për shqyrtim në seancën e sotme plenare.

Me shkresën me nr. prot. 1732/2, datë 3.6.2020, ju komunikova mosdhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji, së bashku me arsyet përkatëse, pasi në kërkesën dhe praktikën e administruar nga Kuvendi:

Nuk evidentohej nevoja dhe urgjenca, sipas kërkesës së nenit 84, pika 4, të Kushtetutës;
Nuk sqaroheshin arsyet e heqjes dorë paraprakisht nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen;
Nuk kishte të dhëna për konsultimin me Bankën e Shqipërisë dhe vlerësimin e saj në lidhje me rreziqet e daljes në treg në këto momente, si dhe me Avokaturën e Shtetit;
Nuk jepeshin të dhëna mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për financat publike;
Nuk jepeshin arsyet e përfshirjes në këtë proces, përmes një autorizimi të veçantë të ministrit të të Shtetit për Rindërtimin, ndërkohë që është Ministria e Financave dhe Ekonomisë që kujdeset për stabilitetin ekonomik nëpërmjet drejtimit me efektshmëri, efektivitet dhe transparencë të financave publike.
Ditën e sotme, më shkresën tuaj me nr. prot. 1382/4, datë 3.6.2020, jam njohur me sqarimet e Kryetares së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, dhe dokumentet zyrtare shtesë të paraqitura prej saj, të pa vëna në dispozicion në kërkesën e parë.

Në këtë shkresë zyrtare, Komisioni për Ekonominë dhe Financat:

Ka shpjeguar nevojën dhe urgjencën, si të lidhur me presionin e lartë financiar të shkaktuar pas goditjeve natyrore (tërmeti) dhe shëndetësore (pandemia Covid-19);
Është rishikuar titulli dhe neni 1 i projektligjit lidhur me çështjen e imunitetit;
Është vënë në dispozicion qëndrimi dhe vlerësimi i Bankës së Shqipërisë dhe i Avokaturës së Shtetit lidhur me këtë transaksion;
Është sqaruar procedura e ndjekur për përzgjedhjen e partnerëve që do të mbështesin këtë proces.
Gjithashtu, jam informuar lidhur me faktin se, neni 3 i projektligjit, mbi autorizimin që i jepet ministrit të Shtetit për Rindërtimin, do të propozohet të hiqet në seancë plenare.

Sa më sipër, pas vlerësimit të plotë të të gjithë praktikës dhe sqarimeve shtesë, Presidenti i Republikës jep pëlqimin e tij për hyrjen menjeherë në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi.

Nga ana tjetër, kërkohet që, gjatë shqyrtimit të këtij akti në seancë plenare, si Kuvendi, edhe Qeveria të konsiderojnë shqetësimin e ngritur nga Presidenti i Republikës, por dhe nga Banka e Shqipërisë, për:

Analizën e kostos dhe përfitimit të marrjes hua në tregun e brendshëm (në lekë/në euro), apo në tregun e huaj, ose një kombinim i tyre.
Çdo transsaksion financiar duhet të paraprihet nga një analizë e gjendjes së valutës aktuale, të pritshmërisë së huadhënies për situatën emergjente të dhënë nga institucionet ndërkombëtare (FMN, BE etj.), si dhe të nevojave prioritare për të përcaktuar shumën e duhur në kohë të huamarrjes në tregun ndërkombëtar.
Në përfundim, ritheksohet nevoja që Qeveria dhe Kuvendi, në nisma të tilla ligjvënëse, të veprojnë në kohën e duhur, në mënyrë që t`u lihet hapësira e nevojshme të gjitha strukturave apo institucioneve për shqyrtimin e tyre.

Ju faleminderit,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Leave A Reply

Your email address will not be published.