Presidenti Meta kërkon strategji afatgjatë për pandeminë e Covid-19

0 278

Presidenti Ilir Meta, ka shprehur shqetësimin për rastet në rritje të infeksioneve nga Covid-19. Përmes një postimi në facebook, ai thotë se ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga Covid-19, veçanërisht të numrit të viktimave, krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe transparent.

Kreu i Shtetit thotë se nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

”Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur, si dhe duke ju uruar shërim sa më të shpejtë gjithë të prekurve, theksoj domosdoshmërinë për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore dhe masave parandaluese”.

Kreu i Shtetit nenvizon se është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare. ”Në veçanti, është e domosdoshme të rritet besueshmëria e menaxhimit të pandemisë, tani kur po hyjmë në pikun e sezonit turistik, në mënyrë që të përfitojmë maksimalisht prej tij”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.