Presidenti Meta takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht Kryetar i Radhës i OSBE-së

0 22

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi ditwn e djeshme një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht Kryetar i Radhës i OSBE-së, zotin Zbigniew Rau, i shoqëruar edhe nga Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Monika Zuchniak-Pazdan dhe Kryetari i Pranisë së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo del Monaco.

Presidenti Meta dhe Ministri Rau shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në kuadër të OSBE-së, rreth çështjeve më të ndjeshme në agjendën e Organizatës, me fokus situatën e sigurisë në Europë pas agresionit të pajustifikuar dhe teë paprovokuar rus ndaj Ukrainës.

Presidenti i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm i Polonisë konfirmuan qëndrimin e vendeve respektive në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe se agresioni rus duhet të ndalojë menjëherë dhe Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.

Presidenti Meta u shpreh se mbështet plotësisht prioritetet polake në krye të Organizatës dhe se beson se OSBE është një faktor kyç për paqen dhe sigurinë në kontinentin tonë dhe një platformë e shkëlqyer për të diskutuar çështjet që lidhen me sigurinë gjithëpërfshirëse.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në zhvillimet demokratike në vend dhe inkurajoi mbështetjen e saj për realizimin e reformave të kërkuara në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen që Polonia ka dhënë për proceset integruese të Shqipërisë dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perendimor në strukturat euro-atlantike dhe theksoi domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, si dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm i Polonisë vlerësuan si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe dhe u angazhuan në forcimin e mëtejshëm të tyre, në fusha të tilla si infrastruktura, transporti, turizmi, bujqësia dhe energjia.

Mjaft inkurajuese u vlerësua nga të dy palët rritja e numrit të turistëve polakë në Shqipëri dhe vendosja e linjave direkte të transportit ajror ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.