Presidenti Meta vlerëson themeluesin e Spitalit të Beratit me Dekoratën ”Nënë Tereza”

0 285

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot themeluesin dhe drejtuesin e parë të Spitalit të Beratit, doktorin epidemiolog Hajdar Sulo (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” me motivacionin “Për kontributin e vyer në fushën e mjekësisë, humanizmin dhe veprimtarinë e tij në çështjen kombëtare. Epidemiolog i shquar, themelues dhe drejtor i parë i Spitalit të Beratit, i cili me pasionin dhe përkushtimin e një atdhetari të palëkundur, vuri një gur të rëndësishëm themeli në shërbim të shëndetit publik shqiptar”. Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast në Institucionin e Presidentit, ishin të pranishëm familjarë e të afërm të doktor Sulos, mjekë dhe personalitete.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

Ky vit shënon 100-vjetorin e themelimit të spitalit rajonal të Beratit, ku Doktor Hajdar Sulo ishte themeluesi dhe drejtori i parë i tij. Ngritja e këtij spitali u projektua nga qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe ishte një nga treguesit e përpjekjeve të para dhe të vazhdueshme për të konsoliduar Pavarësinë e vendit dhe për të forcuar shtetin shqiptar. Në atë situatë, hedhja e themeleve të institucioneve të shëndetit publik për popullin shqiptar, mbetej një nga përparësitë e qeverisë dhe ajo kishte nevojë për personalitete të kësaj fushe, për të ndihmuar në ngritjen e këtyre institucioneve, për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve.

Një prej këtyre figurave të shquara i cili, i shtyrë nga patriotizmi, nuk ngurroi të kthehej në atdhe, pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve për mjekësi në Stamboll dhe në Francë, ishte edhe Doktor Hajdar Sulo. Kur Kryetari i Bashkisë së qytetit të Beratit i kërkoi të merrte detyrën që të ngrinte dhe të drejtonte spitalin e parë të këtij qyteti, Doktor Hajdar Sulo e dinte që vështirësitë ishin të shumta: si logjistike ashtu edhe materiale, por mbi të gjitha financiare.

Por kjo nuk e pengoi atë. Ai iu përvesh punës me shumë dashuri dhe përkushtim duke kërkuar ndihmën e qytetarëve të Beratit, por edhe të atyre të Shkodrës e të Vlorës, të cilët me shumë bujari ofruan çka mundeshin për spitalin që do të hapej. Përkushtimi i tij në shërbim të qytetarëve të Beratit, por edhe të Fierit, Lushnjes, Mallakastrës e krahinave të tjera vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij. Për 44 vite, Doktor Hajdar Sulo u shërbeu me dashuri dhe profesionalizëm pacientëve, të cilët e dalluan qartë shpirtin e tij human. Përkujdesja dhe përkushtimi për këdo që kishte nevojë për të, ishte misioni i doktor Hajdarit deri në fund të jetës.

Ai shërbeu me devotshmëri dhe bëri të pamundurën për popullin e vet, duke iu përkushtuar sidomos shtresave më të varfëra. Humanizmi ishte njëri prej virtyteve më të spikatura të Doktor Hajdar Sulos. Atdhedashuria dhe patriotizmi ishin elementë të dalluar të personalitetit të tij, që e dëshmoi me kontributin e madh të dhënë si veprimtar patriot, veçanërisht me mbështetjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkëpunimin me qeverinë e Ismail Qemalit.

Edhe pse u dënua dy herë me vdekje nga pushtuesit, nuk rreshti asnjë çast punën dhe përpjekjet për t’u vënë në shërbim të Atdheut. Në këtë 100-vjetor të themelimit të spitalit të Beratit, ne nderojmë dhe kujtojmë me respekt doktor Hajdar Sulon, themeluesin dhe drejtorin e parë të tij, me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”. Ashtu si Shenjtorja jonë e madhe u vu në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve në të gjithë botën, edhe Doktor Hajdar Sulo gjatë gjithë jetës së tij ndoqi të njëjtin shembull humanizmi.

Ai u shërbeu me dashuri e përkushtim të gjithëve bashkëkombasve të tij, duke vënë në zbatim thënien e Nënë Terezës: ‘Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por, ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Dhe Doktor Hajdar Sulo çdo ditë e bëri këtë gjë. Nderim dhe mirënjohje të thellë për Doktor Hajdar Sulon, dhe në këtë përvjetor të Spitalit të Beratit, respekt dhe mirënjohje edhe për të gjithë stafin mjekësor, që u shërbyen dhe vazhdojnë t’u shërbejnë me dashuri dhe përkushtim qytetarëve veçanërisht në këto kohë plot me sfida për shëndetin publik.

Leave A Reply

Your email address will not be published.