Pritshmëritë nga qeveria e re gjermane

0 158

Një nga ngjarjet më të shënuara të vitit 2021 është padyshim përmbyllja e epokës 16-vjeçare të Angela Merkelit dhe zgjedhja e Olaf Scholz si kancelar i Gjermanisë në një koalicion trengjyrësh. Përveç Vatikanit, asnjë shtet nuk e ka stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Gjermanisë në Europë. Olaf Scholz është kancelari i nëntë i Gjermanisë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

AGJENDA REFORMISTE

Në planin e brendshëm, fjala kyçe e qeverisë së re gjermane është modernizimi i vendit. Scholz është zotuar për të udhëhequr qeverinë më reformatore në Gjermani që nga koha e Kancelarit Willy Brandt në vitin 1969, ku fokusi ishin reformat sociale dhe një ndryshim në politikën e jashtme ndaj Gjermanisë Lindore dhe Polonisë. Qeveria e re gjermane nuk është mike e “merkantilizmit korporatist”, mantra ekonomike e reflektuar edhe në politikën e jashtme të qeverive të njëpasnjëshme gjermane që nga Lufta e Dytë Botërore. Qeveria e re premton investime në ekonominë e gjelbër dhe atë digjitale, të cilat mund të realizohen vetëm nga një brez i ri sipërmarrësish. Këtu mbështetet edhe logjika e koalicionit trengjyrësh, teksa Liberalët njihen si partia e sipërmarrjes, të Gjelbrit si partia e investimeve të gjelbra, dhe Socialdemokratët si stabilizuesit e koalicionit ndërmjet dy partive të tjera që qëndrojnë në skajet e kundërta të spektrit politik. Ky koalicion nuk është një martesë dashurie, e as komode, por një martesë e mundësive. Ajo që e bën këtë koalicion të ndryshëm nga të gjithë të tjerët është se ai bazohet në një projekt dhe jo thjesht tek besimi mes palëve. Një përshkrim i pazakontë për një program politik, veçanërisht në një vend të “infektuar” nga kultura e konsensusit si Gjermania. Agjenda reformiste do të risjell edhe politikën e ballafaqimit midis qeverisë federale dhe landeve, por edhe midis qeverisë dhe opozitës. Partia më e madhe dhe e zëshme opozitare e Bundestagut të kaluar ishte partia e ekstremit të djathtë AfD. Tani do të jetë CDU/CSU, nën udhëheqjen e re të Friedrich Merz, e cila pritet të pozicionohet më djathas, si një parti qartësisht konservatore.

Duhet të kujtojmë se Gjermania nuk ka pasur një opozitë të vërtetë që nga ditët e Merkelit si drejtuese e opozitës. Edhe ajo, ndonëse në opozitë, ishte dakord me projektin kryesor të kancelarit Gerhard Schröder për reformën e mirëqenies shoqërore. Prandaj, do të jetë me interes të shihet se çfarë do të prodhojë ky konfigurim i ri në politikën e brendshme gjermane.

DREJT NJË EUROPË FEDERALE?

Në planin europian, projekti i qeverisë gjermane duket më ambicioz, krahasuar me epokën e Merkelit. Programi qeverisës është në sintoni me konceptin e “sovranitetit strategjik” të shtjelluar fillimisht nga Presidenti francez Emmanuel Macron, duke nënvizuar nevojën që BE-ja të veprojë si fuqi globale. Qeveria e re mbështet një Shërbim Europian të Veprimit të Jashtëm më të fortë, lista zgjedhore transnacionale për Parlamentin Europian, dhe idenë e kandidatit për President të zgjedhur të Komisionit Europian, për ta bërë BE-në më demokratike, e për të shkuar drejt një Europë federale. Qeveria e re sinjalizoi gjithashtu hapjen ndaj një reforme të rregullave fiskale dhe një formë të solidaritetit fiskal, kërkesa të vazhdueshme nga vende të tilla si Italia dhe Spanja. Kjo do të shërbej si premisë për reformimin e Paktit të Stabilitetit të BE-së, ruajtjen e qëndrueshmërisë së borxhit dhe sigurimin e investimeve të qëndrueshme e miqësore ndaj ndryshimeve klimatike. Gjermania mbështet gjithashtu një “risigurim europian për skemat kombëtare të garancisë së depozitave” si pjesë e një pakete më të madhe për Unionin Bankar. Mbetet të shihet nëse Gjermania do të kontribuoj për zbutjen e hendekut ekzistues ndërmjet veriut dhe jugut të Europës për ta bërë këtë të fundit pjesë të ekonomisë së dijes të shekullit të 21-të. Nëse ky hendek nuk zbutet, ç’ekuilibri i produktivitetit midis veriut dhe jugut të Europës do të thellohet. Lëvizjet e para në rrafshin europian të kancelarit Scholz tregojnë vullnetin e Gjermanisë për të zgjeruar boshtin tradicional gjermano-francez edhe me Italinë e Spanjën. Pakti i nënshkruar ndërmjet Francës dhe Italisë, pak ditë para marrjes së detyrës nga kancelari Scholz, është gjithashtu dëshmi e vullnetit të Francës për zgjerimin e boshtit tradicional, në kushtet kur BE-ja po përballet me sfida të panumërta, e gjendur mes rivalitetit të fuqive të mëdha. Në këtë kontekst, forcimi i bërthamës ndërmjet katër shteteve më të fuqishme të BE-së është shprehje e vullnetit të tyre për ta formatuar të ardhmen e BE-së si fuqi globale. Gjermania dëshiron rikthimin e “metodës komunitare” në procesin politikbërës në BE, çka do të përkthehej në një forcim të zërit dhe nismave të vetë institucioneve të BE-së, si një mundësi për të zhbllokuar disa nga çështjet që presin zgjidhje në tryezën vendimmarrëse të udhëheqësve të BEsë. Qeveria e re gjermane ka paralajmëruar një qasje më strikte përkundrejt vendeve anëtare të BE-së në raport me shkeljet që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe përfitimit të fondeve kohezionit. Gjatë vizitës në Poloni, Kancelari Scholz u tregua i kujdesshëm t’i kujtonte autoriteteve polake parimet dhe vlerat që mbajnë bashkë BE-në, të cilat duhen respektuar nga të gjitha vendet anëtare të saj. Ndërkohë që Ministrja e Jashtme Baerbock ka folur shkoqur për mostolerimin e qeverive me prirje autoritariste brenda dhe jashtë BE-së. Kryeministri hungarez Viktor Orban i parapriu asaj çka pritet të ndodh teksa përmes “letrës Samizdat” të muajit dhjetor 2021 deklaroi se: “Epoka e paqartësisë, politikave të dyzuara dhe lëvizjeve ka përfunduar me Merkelin. Tani duhet të përgatitemi për betejë me sytë hapur”1 . Qëndrimi i qeverisë së re gjermane duhet lexuar në kontekstin e zhvillimeve të pritshme përgjatë vitit 2022, teksa hungarezët dhe polaket do t’i drejtohen kutive të votimit, ku beteja mes qeverive ekzistuese dhe sfidantëve duket mjaft e fortë. E njejta gjë mund të thuhet edhe për Poloninë ku mosmarrëveshjet ndërmjet Varshavës dhe Brukselit janë thelluar në lidhje me respektimin e parimeve të sundimit të së drejtës. Këto mosmarrëveshje pritet të reflektohen në një luftë politike të ashpër në Poloni, ku opozita europeiste e drejtuar nga Donald Tusk synon rikthimin në zgjdhjet e vitit 2023.

TAKIMI ME REALPOLITIKËN

Roli i Gjermanisë në Bashkimin Europian dhe partneriteti euro-atlantik janë dy shtylla të palëvizshme të politikës së jashtme gjermane. Qeveria e re gjermane do t’i japë përparësi konsolidimit të partneritetit euro-atlantik në funksion të formatimit të marrëdhënies brenda katërkëndëshit BESHBA-Rusi-Kinë. Koordinatat e përfshirjes së Gjermanisë në arenën ndërkombëtare duhen shqyrtuar sa herë ka ndryshime të parametrave ndërkombëtar dhe nevojë për riorientim të prioriteteve. Vështruar në këtë kontekst, rivaliteti gjithnjë e në rritje ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës, sikundër raportet me Rusinë, për të ardhmen e sigurisë europiane, adresimin e konflikteve të ngrira në vendet që bëjnë pjesë në Fqinjësinë Europiane, me theks të posaçëm Ukrainën, apo projekti gazsjellës Nordstream 2, pritet të jenë përcaktuese për riorientimin e politikës së jashtme gjermane. Dinamizmi i ekonomisë aziatike dhe zhvillimi i madh i Kinës imponojnë pika të reja referimi në politikën e jashtme. Duhet thënë se qeveria e re gjermane ka një ndryshim toni në lidhje me tekno-autoritarizmin e Kinës. Ministrja e Jashtme Baerbock ka nënvizuar se, Gjermania do të bashkërendojë qëndrimet me SHBA-të në raportet me Pekinin, duke i kushtuar më shumë rëndësi respektimit të të drejtave të njeriut dhe çështjes së Taiwanit. Megjithatë, ky ndryshim toni nuk duhet interpretuar si ndarje ekonomike apo fillim i një Luftë të re të Ftohtë me Kinën. Programi qeverisës i votuar në Bundestag vendos theksin tek respektimi i të drejtave të njeriut nga Kina, duke paralajmëruar njëkohësisht se, “marrvëshja e investimeve ndërmjet BE-së dhe Kinës nuk mund të ratifikohet në këtë moment nga vendet anëtare të BE-së”. Pavarësisht përkufizimit të Kinës nga ana e BE-së si një “partner strategjik, por edhe konkurrent dhe rival sistematik”2 , BE-ja ende nuk ka demonstruar unitet në vlerësimin ndaj risqeve që paraqet Kina dhe konsistencë në veprime apo gadishmëri për t’u përballur me pasojat. Është ende herët të parashikohet nëse qeveria e re gjermane do të jetë në gjendje të farkëtojë një politikë të qartë europiane në raport me Kinën. Kur vjen puna për raportet me Rusinë, qeverisë së re gjermane do t’i duhet të kalibrojë qëndrimin e saj. Nga njëra anë, mes perceptimeve kërcënuese në rritje ndaj Rusisë, përsa i përket sigurisë europiane dhe përfshirjes së saj në Lindjen e Mesme, dhe nga ana tejtër, interesave ekonomike e tregtare që Gjermania ka me Rusinë. Autokratizimi i Rusisë ul shanset e përfshirjes me perëndimin dhe shton nevojën e saj për konfrontim gjeopolitik, si mundësia më e mirë për të fituar legjitimitet të brendshëm. Në të shkuarën Gjermania ka korrektuar politikën e saj përkundrejt Rusisë në përputhje me kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve në tërren, duke e kthyer atë në një politikë të BE-së ndaj Rusisë. Gjetja dhe mbajtja e konsensusit të vendeve anëtare të BE-së me regjimin e sanksioneve kundër Rusisë që prej vitit 2014 i dedikohet pikërisht rolit të pazëvendësueshëm të Gjermanisë. Ndërkohë që të gjelbrit dhe Ministrja e Jashtme Baerbock janë për një linjë më të ashpër ndaj Rusisë, Kancelari Scholz do të jetë hartuesi kryesor i raportit që do të vendoset me Rusinë duke e trajtuar atë më shumë si një çështje të ekzekutivit sesa një çështje të politikës së jashtme, në traditën e konsoliduar të Kancelares Merkel. Marrja e përgjegjësive më të mëdha për sigurinë europiane nga ana e Gjermanisë do të ishtë një hap i mirëpritur, teksa Rusia vijon të përdorë mjetet ushtarake dhe hibride edhe përtej fqinjësisë, në Lindjen e Mesme dhe zonën e Arktikut. Kësisoj, zgjidhja e konflikteve në Fqinjësinë e Lindjes dhe më tej, duhet të rifitoj përparësi për politikën e jashtme gjermane.

NDRYSHIM APO STATUS QUO NË BALLKANIN PERËNDIMOR?

Në vitin 2005, pak para së të zgjidhej Kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel, do të deklaronte në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung se “me politikën e tanishme të zgjerimit, BE ka prekur limitin e aftësisë së saj për të integruar anëtarë të rinj”, duke kërkuar një fazë konsolidimi për BE-në para se kjo e fundit të mendonte për anëtarë të rinj. Që prej asaj kohe, nga grupi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia është bërë pjesë e BE-së. Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Merkel, si një mundësi për të intensifikuar bashkëpunimin rajonal, në kushtet kur procesi i zgjerimit të BE-së ka pushuar së qeni magnet transformimi dhe zhvillimi për vendet e rajonit, nuk ka arritur të zbusë mosmarrëveshjet dypalëshe apo çështjet e përfundimit të shtetësisë, të cilat pengojnë çlirimin e energjive për bashkëpunim më të thelluar rajonal, mirëqënie dhe rritje ekonomike. E megjithatë, Procesi i Berlinit mbetet e vetmja platformë e bashkëpunimit rajonal me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të rajonit dhe vendeve kyçe të BE-së.

Gjermania nën drejtimin e Angela Merkel është identifikuar më shumë me status quo në Ballkanin Perëndimor sesa me një vizion të qartë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe përmbylljen e finalitetit të saj politik. Duhet pranuar se roli i Gjermanisë ka qenë përcaktues në zmbrapsjen e ideve të rrezikshme për ndryshimin e kufijve. Pesha dhe prezenca e Gjermanisë në rajon është e pakrahasueshme me atë të vendeve të tjera europiane. Megjithatë, impakti i rezultateve në tërren i nismave të saj mbetet i kufizuar. Për shembull, pozicioni i qartë gjerman në raport me dialogun Serbi – Kosovë, me kalimin e viteve duket se i është përshtatur më shumë nevojave politike të udhëheqjes në Serbi, sesa përparimit në tërren që do të prodhonte impakt të ndjeshëm tek qytetarët e do t’i paraprinte njohjes së ndërsjellë mes tyre. Nisma e përbashkët gjermano-britanike e vitit 2015 për Bosnje Hercegovinën nuk e zhbllokoi dot perspektivën europiane e as arkivoi idetë e rrezikshme për zhbërjen e saj. Për shkak të zhvillimeve regresive, disa vite më vonë Ministrja e Jashtme Baerbock është e shtrënguar të flas për sanksione ndaj Dodikut, udhëheqësit separatist të serbëve të Bosnjes. E njejta gjë mund të thuhet edhe për Procesin “Berlin plus”, të artikuluar nga ish Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel që synonte përfshirjen e më shumë elementeve të zhvillimit ekonomik të rajonit. Një nismë që nuk arriti të sigurojë mbështetjen e duhur financiare. Në programin e qeverisë së re gjermane janë përcaktuar disa objektiva që lidhen me fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në BE; procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën; vijimin e dialogut Serbi – Kosovë, ruajten e integritetit territorial të Bosnje Hercegovinës. Përmbushja e këtyre objektivave është e mirëpritur, por nuk do ta ndryshojë status quo në të cilën ndodhet rajoni. Rajoni ka nevojë për një vizion të ripërtërirë politik në rrugën e transformimit demokratik dhe anëtarësimit në BE. Një vizion që nuk premton thjesht një të ardhme më të mirë përmes “perspektivës europiane” por jetëson mbi të gjitha finalitetin politik të Europës. Një proces politik i papërfunduar që nga shembja e Murit të Berlinit. Kancelari Scholz ende nuk ka shpalosur vizionin e qeverisë së tij për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. Për të përmbushur plotësisht rolin e udhëheqësit të Europës, konsolidimin e projektit të integrimit europian, dhe fuqizimit të lidhjes transatlantike, Berlinit do t’i duhet t’i jap fund status quo në Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar tek sfidat reale me të cilat përballen qytetarët dhe vendet e rajonit, që kanë të bëjnë me përfundimin e shtetësisë, fuqizimin e demokracisë, dhe modelin e zhvillimit ekonomik e shoqëror.

/Analiza është botuar për  Fondacionin “Friedrich Ebert”

Leave A Reply

Your email address will not be published.