Programi për energjinë/Basha: Ulje e faturave për 70% të shqiptarëve, do heqim nga qarkullimi gjeneratorët

0 302

Këtë të mërkurë, kreu i PD-së Lulzim Basha prezantoi planin për energjinë elektrike. Gjatë fjalës së tij, Basha u angazhua se me të marrë pushtetin do të ulë faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare si dhe do të liberalizojë tregun në këtë sektor.

”Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj. Ne do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë”,-tha Basha.

Një pikë në programin e energjisë është heqja nga qarkullimi i përdorimit të gjeneratorëve nga ana e bizneseve. ”Biznesi do te furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundësitë për të gjeneruar punësim. Ne do te zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët, sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim”.

Një tjetër pikë e prezantuar nga Basha ishte dhe bashkimi i tregut të energjisë me Kosovën. ”Unë angazhohem për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut”, tha lideri i opozitës.

Po ashtu Basha tha se do të nxitet dhe prodhimi i energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. ”Menjëherë pas zgjedhjeve, unë do të përqendroj të gjithë fuqinë e shtetit në dy detyra të tjera kryesore: zgjidhja e problemeve të përmbytjeve të qyteteve tona dhe përfundimin me shpejtësi i riparimit dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve të tërmetit”.

Kreu i PD tha se “kemi marrë angazhimin e institucioneve prestigjioze që kanë punuar krah për krah me NATO-n dhe Bashkimin Europian për një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme të problemit të përmbytjeve në veçanti dhe erozionit dhe ndotjes në tërësi”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.