Protestë madhështore në Tiranë: Mbroni vajzat (FOTO)

0 49

Për të reaguar kundër dhunës ndaj të miturve dhe kundër abuzimit seksual, mijëra qytetarë dolën të enjten në sheshet kryesore në Tiranë dhe në Durrës. Në orën 16:00 në sheshin “Nënë Tereza” nisi një protestë marshim me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të të rinjve, e jo vetëm të tyre. Përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, artistë, nëna me fëmijë, figura publike etj, u bënë bashkë për të kërkuar që plaga e abuzimit seksual me të mitur në vendin të marrë fund. ”Për fëmijërinë e vjedhur”, “Mbroni vajzat, jo pedofilët”, ”Pse nuk raportojmë”, ”Marshoj për vajzën dhe mbesat e mia”, ”Mos përdhuno”, ishin disa nga sloganet dhe pankarta që qytetarët mbanin në duar. Reagimi i qytetarëve vjen pas denoncimit të abuzimit seksual të së miturës nga mosha 12 deri në 15-vjeç, nga një 65-vjeçar, ish-roje e shkollës ”Azem Hajdari” në Babrru.

Ngjarja ka tronditur mbarë publik dhe ka sjellë reagime të forta kundër institucioneve që nuk kanë marrë masat e duhura për të parandaluar këto ngjarje skandaloze. Pas tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit u drejtuan tek Kryeministria dhe më pas protestuan për disa orë tek Ministria e Arsimit, duke hedhur parullën “Ministria e turpit”.

Pjesë e protestës u bë edhe babai i vajzës, i cili dha këtë mesazh. ”Dëgjova në Parlament që Edi Rama denoncoi atë djalin. E dëgjova dhe nuk bëri asgjë, sepse ai vetë nuk ka vajzë. E dëgjova në Parlament. U lutem prindërve, vëllezërve dhe mësuesve që të kenë kujdes sepse fëmija është fëmijë, gënjehet me një karamele. Fëmijët t’i qëndrojnë sa më afër fëmijëve dhe të flasin me ta. Ne jemi më të urtë në Babrru. Atje më kërcënojnë, më thonë jo do të vrasim e kështu. Ata janë të gjithë grup dhe e bëjnë këtë gjë ku të gjejnë. I lutem ministres së arsimit. Mirë që e vuajti vajza ime, por të paktën të mos vuajnë të tjerët. Ai që e bëri të kalbet atje. Më bëjnë shantazhe, do të vras. Aty është komitet i vogël, unë tani kam shkuar në Babrru, ku gjejnë e bëjnë. Ai që e bëri, u kalb atje. Unë do e kisha vrarë, po mirë që hyri në burg. Nëse qeveria nuk i jep dënimin e merituar, do ia jap unë si prind. Veç mos daltë gjallë se kam me e vra”.

Ish-roja e shkollës “Azem Hajdari” në Babrru, Abaz Doga nuk është i pari por as i fundit nga abuzuesit seksualë të të miturve në shqoërinë tonë. Ministria e Arsimit e sheh problemin tek mediat. Policia nga ana tjetër nuk ka asnjë informacion mbi atë çfarë ndodh në zona të ndryshme të kryeqytetit, edhe pse krimi po kryhej nën hundën e tyre. Heshtja e ministrisë apo dhe qeverisë ishte dhe në abuzimin seksual të të miturës në Fier nga mësuesi i muzikës. Ai i premtonte një 13-vjeçareje ta ndihmonte me mungesat në këmbim të favoreve seksuale. Në Kavajë, me të njëjtën mënyrë, atë të shantazhit me video intime, u abuzua një 14-vjeçare. Gjatë viteve 2018-2019 janë raportuar 8 raste të abuzimit seksual, ku 4 prej tyre kanë ndodhur brenda ambienteve të shkollës, nga mësuesi, por edhe nga nxënës më të rritur se viktimat që kanë pësuar këtë abuzim.

Në rezultatet e fundit të studimit Becan, krahas policisë, e cila duket se ka probleme në marrjen e informacioneve, problemet më të mëdha janë brenda institucioneve arsimore. Në Shqipëri mësuesit dhe arsimtarët nuk janë trajnuar në mënyrë të duhur se si të identifikojnë dhe referojnë këto raste.

Leave A Reply

Your email address will not be published.