Pse e krijon Edi Rama këtë kurs përplasje me BE?

0 46

Nga Nikoll LESI

Edi Rama po shkon me vetdije në një përplasje publike me Bashkimin Europian. Nuk ka ndodhur në këto 30 vite që një kryeministër të mos ndalojë në hovin e tij për të marrë gjitha pushtetet, kur Europa i bën thirrje të mos hedh hapa të tjerë që rrezikojnë demokracinë dhe kur sjellin përplasje të mundshme civile.

Natyrisht që ka patur, dikur, tendenca nga Presidenti Berisha ndër vitet 1992-1996, por edhe ai ndalonte kur dilte tabela ndërkombëtare me mbishkrimin STOP. Edhe kryeministri Fatos Nano frenonte kur përballë kishte bllok ndërkombëtarësh që e atakonin. Edhe kryeministri Ilir Meta ishte i kujdesshëm në raport me aleatët e rëndësishëm ndërkombëtarë.

Ndërsa Edi Rama ecën me vrik drejt përplasjes me Europën. Dhe nuk e bën pa një qëllim. Duke qenë prej muajsh, sidomos javët e fundit, nën breshërinë e opozitës, te një pjese të mediave te lira dhe krejt rrjeteve sociale kundër tij; atij, pra Edi Ramës i duhet patjetër një spostim vëmendje nga skandalet, sidomos nga ky i inceneratorëve. Edhe Prokurori më i thjeshtë dhe pa ndonjë eksperiencë e shikon se është një vjedhja e madhe në dhjetra milionë euro dhe që nuk ka Zot që e shpëton atë, apo ata, që kanë firmosur në një aferë haptazi korruptive. Së paku dy ministra dhe ish-ministra shkojnë në burg, pa hap e mbyll sytë, pra për një minutë.

Natyrisht që arrestimi i ministrave mund të sjellë hapjen e gojës së ndonjërit që nuk ja mban të rrijë në të ftohtin e dimrit në qeli. Dhe po foli, sirenat shkojnë më lart në Qeveri! Ndaj kryeministri, duke qenë mjeshtër në lojërat dhe shantazhet apo pazaret politike, e ka gjetur me djallëzi spostimin e  vëmendjes nga skandali i fundit. Më mirë një zhurmë e madhe ndërkombëtare se sa arrestime në Tiranë, kjo është motoja e qeverisë në këtë rast. Sajuan përbukuri që krejt media e Shqipërisë dhe publiku të interesohet me shumë për enderrën europiane se sa të milionat e eurove që ka vjedhur qeveria, pra tani kazani zien se si Rama nuk pyet BE, se pse Gjermania nuk na jep vazhdimin e negociatave, se ç’tha komisioneri e si përgjigjet Elisa, se ca llomotit Taulanti dhe pse kryeministri e voton Kodin Zgjedhor duke mos dëgjuar Europën.

Asnjë fjalë më për inceneratorët! Lojë e thurrur me kujdes, për momentin, e kryeministrit. Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese janë shkatërrim i sistemit demokratik dhe vlerave europiane, ku synojmë të arrijmë, porse Edi Rama e ka në kokë skemën e përplasje me Brukselin, bile duke ditur se nuk do ti hapin negociatat e kapitujve, se nuk plotëson asnjë nga 15 kushtet, do mundohet në dhjetor kur të dështojë të justifikohet se “mos hapjen e negociatave BE-ja e bëri nga inati se nuk iu nënshtrova”. Pra jo se nuk është korrekte qeveria shqiptare, por ngaqë kundërshtoi BE-në, ata nga inati nuk i hapin konferencën e parë ndërqeveritare Bruksel-Tiranë.

Kjo mazhorancë, më pak përjashtime, e ka strategji të mirëpërcaktuar se më mirë një Shqipëri që mbretërohet nga Edi Rama me mikun turk, Erdogan dhe aleatin e ri Vuçiç se sa të ketë mbi kokë komisionerët dhe kontrollorët e BE. Nëse fillojnë kapitujt e negociatave me BE, nuk ka më qe Edi Rama vendos pa kontrollin e Brukselit. Natyrisht deri në prill, pasi pas datës 25 ai ikën pa drejtim dhe nuk do ketë njeri që do ti hapi celularin më. As Elisa e Taulanti nuk e qasin më, mundet Damiani apo edhe ndonjë ministër që do ti telenojë nga burgu.

E megjithatë Edi Rama nuk është kundërshtar i lehtë.  Ai mbart paksa nga Enveri (si diktator), nga Saliu i parë (si autokrat) dhe nga Nano (si korruptiv). Kush e njeh Edi Ramën habitet se si ka ndryshuar 180 gradë nga ai Edi që shkruante në gazetën KOHA JONE, dikur ndër vitet 1992-1997 e ku pena e tij drithëronte regjimin e kohës. Por ai ka shkruar me dorë dhe ka menduar me mendje se si do jetë Shqipëria kur ta drejtojë unë! Dhe e pamë këto 8 vite! Për të qenë korrekt me veten dhe të vertetën, Edi Rama në dy mandatet e para si kryetar bashkie në Tiranë punoi admirueshëm, por më pas… E  dreqosi! Dhe ja ku jemi, në momentin që ai duhet të iki.

Leave A Reply

Your email address will not be published.