Pse opozita e re nuk djeg mandatet?

0 318

Tentativa e opozitës parlamentare për të ndryshuar Kodin Zgjedhor ka marrë sot refuzimin zyrtar nga Partia Socialiste. Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se marrëveshja mes PD-PS dhe LSI, edhe pse ai nuk e pëlqen dhe nuk e quan më të mirën, do të votohet nga PS. Listat e hapura, ndalimi i koalicioneve dhe vendosja e pragut 5 % për të hyrë në Kuvend, edhe pse ishin ide të tijat, që u thanë me gojën e Rudina Hajdarit dhe të tjerëve, nuk kanë gjasa të kalojnë për votim. Jo se Edi Rama nuk i do këto ndryshime që i garantojnë mandatin e tretë dhe vjedhjen e votave, por nëse shkel paktin e firmosur në Ambasadën e SHBA rrezikon shumë më shumë se humbja e pushtetit.

Nadj dhe kryeministri u shfaq reflektues dhe si një politikan që nuk ka ndërmend ti vihet kundër SHBA. Aq më pak nuk mund të dali kundër BE-së që këto 6 muaj drejtohet nga Gjermania dhe dihet që Edi Rama nuk shihet më me sy të mirë në Bundestag. Për të mos marrë goditje ndërkombëtarë që mund të jenë fatale për të, kryeministri hodhi në kosh ndryshimet kushtetuese për Kodin Zgjedhor dhe bashkë me të edhe deputetët firmëtarë të opozitës gjasme parlamentare. Kryeministri nuk zhgënjehu me stilin e tij politik edhe këtë herë, që pasi i përdor njerëzit për qëllimet e tij të vogla politike, i hedh brutalisht në rrugë në momentin e parë që nuk i duhen më. Nxjerrja jashtë nga salla e Kuvendit dhe ndalimi i fjalës për Halit Valterin dhe të tjerë është njëlloj si flakje në rrugë me metoda politike.

Tashmë kjo aradhë deputetësh që hyri në Kuvend një vite e gjysmë më parë, si bishta listash, nuk ka çfarë bëjë më në Kuvend. Nuk kanë më as një mjet politik dhe forcë kartonësh për t’i imponuar rilindjes qëndrimet e tyre. Madje, vota e tyre edhe pse u ble shtrenjtë nga rilindja në momentet e vështira kur PD dhe LSI dogjën mandatet, sot nuk vlen më asnjë lekë. Për të fituar në zgjedhjet e ardhshme apo për tu futur në listat e PS nuk kanë asnjë shans, pasi edhe pse patën mundësi të bënin diçka ndryshe, shumica e tyre mbetën ashtu siç hynë në Kuvend, deputetë pa identitet politik. Bile disa edhe sharlatan dhe turp për Kombin.

E vetmja lëvizje politike që i bën ata të vlefshëm është djegia e mandatëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të vënë në pozitë të vështirë qeverinë “Rama”. Duke qenë se me largimin e tyre listat e kandidatëve për deputetë shterojnë Edi Rama do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda pak javëve. Ky është i vetmi shërbim që deputetët që morën mandatet mund t’i bëjnë politikës duke rrëzuar kryeministrin që i mashtroi dhe i përdori për interesa afatshkutra. Çdo variant tjetër nuk është në favor të tyre. Mund të vazhdojnë të marrin pagën edhe disa muaj, por do të mbahen mend si opozita e vetme në botë që votoi çdo ligj të qeverisë.

Tani që u tradhtuan hapur nga kryeministri dhe PS-ja që u përgjërohej të pranonin mandatet, nuk u mbetet gjë tjetër për të bërë veçse ta rrëzojnë këtë qeveri duke ikur nga Kuvendi. Mbase në këtë mënyrë do kenë të drejtë të thotë që një herë të vetëm u sollën si opozitarë dhe jo rrogëtarë të rilindjes. Por ky veprim don dinjitet. A e kanë këtë të paktën një copë dinjitet këta që të ikin nga parlamenti duke dorëzuar mandatet siç bëri PD dhe LSI? Vështirë të ndodhë! Por edhe mundet, nëse duan të mbeten në histori.

Leave A Reply

Your email address will not be published.