“Putini” i radhës në pragun e Europës

0 54

Duke përdorur emigracionin si kërcënim dhe duke ndërmarrë aventura të reja të huaja, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po sillet gjithnjë e më shumë si homologu i tij rus. Për këtë arsye, europianët duhet t’i vënë veshin mësimeve që kanë nxjerrë nga marrëdhënia që kanë pasur me Rusinë gjatë 15 viteve të fundit.

Nga Mark Leonard

A është Turqia Rusia e re? Kjo pyetje po bëhet gjithnjë e më shumë teksa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan miraton një politikë të jashtme më agresive. Përveç përdorimit të emigracionit për të kërcënuar dhe vënë në pozitë të vështirë Bashkimin Europian, Erdogani ka përdorur fuqinë ushtarake për të zgjeruar sferën e ndikimit të Turqisë në rajonin e gjerë.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, europianët e kanë parë sigurinë rajonale përmes një lenteje perëndimore unipolare. Ndërkohë që NATO-ja garantonte sigurinë ushtarake, BE-ja – me rregulloren e saj prej 80,000 faqesh për gjithçka, që nga të drejtat e LGBTQ deri tek ordinancat për zhurmën e makinave që kositin barin – garantonte rendin ligjor. Në vitet 1990, mendohej gjerësisht se dy lojtarët e mëdhenj rajonalë jo-perëndimorë, Rusia dhe Turqia, gradualisht do të akomodoheshin në këtë marrëveshje.

Por gjatë 15 viteve të fundit, ëndrra e unipolaritetit europian i ka hapur rrugë një realiteti multipolar. Rusia dhe Turqia kanë pasur një marrëdhënie të gjatë dhe të vështirë dashurie-urrejtje me Europën dhe të dy këto vende janë bërë më të sigurt nën drejtimin e dy liderëve kombëtarë që ndajnë të njëjtin përçmim për normat dhe vlerat e BE-së.

Prishja e marrëdhënieve BE-Rusi është e dokumentuar mirë. Historia turke më pak. Lufta në Irak në 2003 ndërlikoi marrëdhëniet e Turqisë me NATO-n dhe marrëdhëniet e saj me BE-në morën një kthesë për keq në vitin 2007, kur Franca bllokoi një pjesë kryesore të negociatave të saj për anëtarësim në BE. Që nga ajo kohë, Turqia i ka hapur rrugën vetes në Siri, Ballkan dhe Libi, si dhe ka ndjekur lidhje të reja me Rusinë dhe Kinën.

Sigurisht, marrëdhënia Turqi-Rusi nuk është më pak e ndërlikuar, sidomos sepse Erdogani dhe presidenti rus Vladimir Putin mbështesin anë të ndryshme në luftën civile të Sirisë. Momenti më i keq erdhi kur Turqia rrëzoi një aeroplan ushtarak rus në vitin 2015. Si përgjigje, Putini vendosi sanksione, të cilat shkaktuan kaos në ekonominë turke dhe bënë që Erdogani të kërkonte ndjesë, diçka aspak karakteristike nga ana e tij.

Pavarësisht se është një aleate e NATO-s, Turqia që prej asaj kohe ka vendosur të blejë një sistem të mbrojtjes S-400 të prodhuar nga Rusia, pavarësisht kundërshtimeve të Shteteve të Bashkuara. Dhe ndërkohë që tensionet për konfliktin në Siri vazhdojnë ende, Erdogani qartazi admiron mënyrën se si Rusia është rivendosur – me një kosto relativisht të vogël – si një lojtar i rëndësishëm në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Pasi u përfshi në një luftë të pamundur të fitohej në Ukrainën lindore, fushata kryesisht e suksesshme e Putinit në Siri riktheu disi autoritetin e tij në vend. Perëndimi kishte harxhuar pesë vjet duke këmbëngulur se nuk kishte zgjidhje ushtarake për konfliktin dhe se presidenti sirian Bashar al-Asad duhej të largohej. Por ndërsa bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë nuk shkuan askund, bisedimet e ndërmjetësuara nga Rusia në Astana dukej se kishin përparuar. Duke përfshirë Turqinë dhe Iranin dhe duke përjashtuar fuqitë perëndimore, Kremlini krijoi përshtypjen se Rusia ishte ngritur nga hiri, një superfuqi e rilindur.

I gjendur përballë një kundërshtimi në rritje në vendin e tij, Erdogan ka filluar të veprojë si Putini. Me Perëndimin që nuk dëshiron të ndërhyjë ushtarakisht (përsëri) në Libi, Erdogani pa një mundësi që Turqia të mund të përfitonte. Pas qasjes së Rusisë në Siri, ai siguroi një ftesë zyrtare nga qeveria libiane për të ndërhyrë. Në një veprim të papritur në fund të vitit të kaluar, ai jo vetëm që përmirësoi imazhin e Turqisë si një fuqi rajonale, por gjithashtu siguroi një marrëveshje kufitare detare me Libinë, duke prishur kështu një plan nga Greqia, Qiproja, Egjipti dhe Izraeli për të zhvilluar fusha nafte dhe gazi në afërsi.

Që atëherë, procesi i paqes “Berlini” i udhëhequr nga BE-ja dhe Kombet e Bashkuara është përpjekur t’i japë fund luftës në Libi, por ndërhyrja ushtarake e Turqisë e ka ndryshuar rrënjësisht ekuilibrin e pushtetit në terren. Edhe një herë, Rusia dhe Turqia do të përcaktojnë të ardhmen e një vendi që është tepër i rëndësishëm për interesat europiane, vetëm këtë herë në krye është Turqia.

Erdogan gjithashtu duket se është frymëzuar nga strategjia përça dhe pushto e Kremlinit në Europë, ku shpesh ai shfrytëzon ato shtete anëtare të BE-së që mbështeten më shumë te hidrokarburet ose tregjet ruse. Ashtu si Putini e ka përdorur prej shumë kohës si një lloj arme furnizimin me energji, Erdogani është përpjekur të shfrytëzojë fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve që largohen nga konfliktet në Lindjen e Mesme. Kur BE-ja njoftoi një mision të ri detar për të bllokuar fluksin e armëve në Libi, Turqia përdori kërcënimin e emigrantëve përpara Maltës, e cila më pas sinjalizoi se do të vendoste veton ndaj financimit të misionit.

Për vite me radhë, europianët i thoshin vetes se Rusia ishte një lloj biri plangprishës dhe se rendi unipolar europian mbetej i shëndoshë. Megjithatë, kjo e bëri Europën një objektiv të lehtë për strategjinë përça dhe pushto të Kremlinit. Vetëm kohët e fundit blloku hartoi politika të reja dhe një regjim të fortë sanksionesh për të penguar agresionin rus. Dhe madje edhe tani – pavarësisht përpjekjeve të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron – BE-ja ende nuk ka krijuar kanale efektive komunikimi me Rusinë për adresimin e problemeve të përbashkëta.

Turqia nuk është ende një Rusi e re, por mund të bëhet një e tillë nëse situata keqmenaxhohet. Tani për tani, shumica e europianëve e konsiderojnë ende Turqinë si një partner të ndërlikuar sesa si një “rival sistematik”. Por europianët duhet t’i vënë veshin mësimeve që kanë nxjerrë nga marrëdhënia që kanë pasur me Rusinë gjatë 15 viteve të fundit. Marrëdhënia BE-Turqi ka nevojë për një grup parimesh të reja, të dakorduara reciprokisht, si dhe për kufij të qartë për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm në rajon.

Për këtë qëllim, europianët duhet të bëjnë të qartë se procesi i pranimit në BE mund të kthehet pas ose të vazhdojë para dhe se një marrëdhënie më transaksionale do të përfshijë shpërblime dhe ndëshkime. Sfida do të jetë të garantohet që ka ende hapësirë për angazhim politik për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e përbashkët në një rajon të ndikuar jo vetëm nga Europa dhe Turqia, por edhe nga Rusia, SHBA-ja dhe një Kinë gjithnjë e më në rritje.

Project Syndicate-Birn

Leave A Reply

Your email address will not be published.