Qendra e re shëndetësore në Tiranë, mjekët: Ambient dinjitoz për t’u shërbyer qytetarëve

0 323

Qendra e re Shëndetësore nr.1 në Tiranë, një investim i qeverisë, pjesë e Programit Kombëtar të Rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore u realizua në 6 muaj, gjatë periudhës së pandemisë. Kryeministri Edi Rama publikoi në facebook, një video me dëshmi të bluzave të bardha dhe qytetarëve që marrin shërbim pranë kësaj qendre, të transformuar totalisht pas investimit të qeverisë.

Qendra shëndetësore nr.1, nga disa ambiente të vogla dhe jo të mjaftueshme për qytetarët të cilëve u shërben, të Njësive Administrative nr. 1 dhe 2 në Tiranë, tashmë është zhvendosur në një godinë të re, e cila garanton kushtet e duhura për 104 mjekë dhe infermierë si dhe për 100 mijë banorët që marrin shërbim në këtë qendër.

“Përveç komoditetit që na ofron ne si personel shëndetësor, ofron një ambient dinjitoz dhe një infrastrukturë më dinjitoze për marrjen e shërbimit edhe për pacientët”,-u shpreh një mjeke. ”Këto kushte, këto ambiente që kanë krijuar, të japin një motivim për të vazhduar dhe për të ecur më përpara, të japin shpresë, dashuri edhe respekt për punën”, tha një tjetër mjeke.

Qytetarët që marrin shërbimin pranë kësaj qendre tregojnë se ka qenë një gërmadhë. ”Këto ambientet e sotme janë si ajo ëndrra që njeriu ka në sirtar për të punuar në një ambient që i jep kënaqësi, sepse puna ka ngarkesë por ka edhe kënaqësi, është e pakrahasueshme”, tha një tjetër mjeke. Sipas bluzave të bardha kjo qendër tashmë përmbush të gjitha standardet e një poliklinike. “Jemi shumë të kënaqur që tashmë ëndrra jonë u realizua”, tha një prej infermiereve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.