Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve: Qeveria të mos hap shkollat

0 47

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT) i ka kërkuar qeverisë të mos hapë shkollat pa një studim të mirëfilltë mbi ndikimin e këtij vendimi në shëndetin e fëmijëve dhe familjarëve të tyre. Përmes një reagimi publik të përcjellë për mediat, CRCA/ECPAT thekson me shqetësim se në lidhje me vendimin e marrë për të rihapur shkollat më 14 shtator ministria e Arsimit nuk ka pasur asnjë lloj konsultimi publik, me bordet e prindërve apo organizatat e shoqërisë civile.

CRCA/ECPAT i kërkoi ministrisë të bëjë publike studimin apo faktet mbi të cilat u mor ky vendim dhe njëherësh edhe ekspertët që “konsiderojnë shkollat, në situatën aktuale, mjedise të sigurta për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve”. Gjatë kësaj jave ministria e Arsimit deklaroi se do të rihapte shkollat duke garantuar se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar nxënësve dhe stafit pedagogjik shëndetin, mirëpo CRCA/ECPAT thotë se asnjë mësues nuk është trajnuar për t’u përballur me Covid-19 apo me masa si distancimi fizik dhe nevojat e shtuara për higjienë.

“Një pjesë e mirë e shkollave të arsimit parauniversitar janë thuajse jashtë çdo standardi të kujdesit minimal ndaj fëmijëve, përfshirë edhe higjienën personale të tyre, e jo më të mendohet se këto lloj ndërtesash do të jenë të afta të ofrojnë sigurinë maksimale dhe mbrojtje ndaj Covid-19”.

“Hapja e shkollave duhet bërë vetëm nëpërmjet një plani kombëtar të mirë-studiuar, të konsultuar me prindërit dhe publikun, që merr në konsideratë shëndetin e fëmijëve, shkallën e përhapjes së virusit në Shqipëri, mundësitë e sistemit pediatrik që të përballet me rritjen e mundësisë që Covid-19 do të prekë edhe fëmijët më të varfër dhe më të ekspozuar ndaj sëmundjeve aspiratore, diabetit, mungesës së ushqimit të shëndetshëm etj”.

Prej nisjes së pandemisë së Covid-19 në Shqipëri, autoritetet shëndetësore kanë diagnostikuar rreth 8,000 raste me infeksion, ku gjysma prej tyre ka mundur të shërohet, ndërsa 238 persona nuk ia kanë dalë mbanë duke humbur jetën. Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, rreth 7 për qind e të infektuarve kanë qenë të moshës 0-19 vjeç, por fatmirësisht deri më sot nuk është shënuar asnjë vdekje në këtë grupmoshë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.